Politikë

Emisari amerikan: Burgosja e Thaçit, të marrë fund! Rama mbështet thirrjen e Grenell: Absolutisht

Në postimin e tij Grenell ka theksuar se Hashim Thaçi, një nga figurat kyçe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duhet të ishte duke festuar në Prishtinë dhe jo pas hekurave

F.I
Emisari amerikan: Burgosja e Thaçit, të marrë fund! Rama
Richard Grenell, Hashim Thaçi dhe Edi Rama

TIRANË-Emisari amerikan Richard Grenell ka uruar Kosovën në 17-vjetorin e Pavarësisë, duke e cilësuar këtë moment historik si të lënë nën hije për shkak të padrejtësive ndaj shtetit të Kosovës. Në postimin e tij Grenell ka theksuar se Hashim Thaçi, një nga figurat kyçe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duhet të ishte duke festuar në Prishtinë dhe jo pas hekurave në Hagë.

"I uroj të gjithë miqve të mi në Kosovë një festë të gëzueshme dhe të sigurt në 17 vjetorin e pavarësisë së tyre. Megjithatë, ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë jo pas hekurave në Hagë. Evropianët nuk kanë arritur të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në 5 vitet e fundit. Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t'i dhënë fund kësaj padrejtësie për shkak të politikës. Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund,"-shktuan Grenell.

Këtë reagim, Kryeministri Edi Rama e ka rishpërndarë në rrjetin e tij social “X”, krahas së cilit ka shkruar se sa më shumë burgimi i Thaçit të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë.

“Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë”,-shkruan Rama.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po mbahet në paraburgim që nga 5 nëntori i vitit 2020. Thaçi shpalli pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008. Ish-presidenti i Kosovës akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, po ashtu ish-zyrtarë të lartë në Kosovë./ZËRI

Poll

MOS HUMB