Politikë

Çfarë vendosi sot PE? Raporti: Të ndalohet ndërtimi në zonën e mbrojtur, shfuqizim i ligjit të 2014. (Si e lexon Rama)

Bëhet fjalë për disa amendamente të cilat nuk u futën në raport dhe të tjera që u përfshinë në raportin përfundimtar. Fokusi te zonat e mbrojtura, projektet e Jared Kushner, nga Narta te Zvërneci.

zh.ll
Çfarë vendosi sot PE? Raporti: Të ndalohet ndërtimi
foto ilustrim: edi rama-raporti i pe

TIRANË- Parlamenti Evropian ka miratuar sot rezolutën zyrtare për Raportin e Progresit të vitit 2025 për Shqipërinë. Gjatë një seancës së votimit, eurodeputetët kanë ndarë votat e tyre për disa amendamente.

Bëhet fjalë për disa amendamente të cilat nuk u futën në raport dhe të tjera që u përfshinë në raportin përfundimtar. Fokusi te zonat e mbrojtura, projektet dhe investimet e Jared Kushner, nga Narta te Zvërneci.

Parlamenti Europian ka kërkuar vendosjen e një moratoriumi të menjëhershëm në zonat e mbrojtura në Shqipëri, duke kërkuar ndalimin e përkohshëm të çdo leje ndërtimi dhe të çdo ndërhyrjeje zhvillimore. Sipas tekstit të miratuar në rezolutën për raportin e progresit të Shqipërisë, eurodeputetët shprehin shqetësim për rrezikun që zhvillimet infrastrukturore mund të shkaktojnë në zonat me ndjeshmëri të lartë mjedisore.

Ky qëndrim vjen veçanërisht në lidhje me zonat e mbrojtura si Vjosa–Nartë, të cilat, sipas Parlamentit Europian, duhet të mbrohen deri në garantimin e plotë të standardeve mjedisore të Bashkimit Europian.

"I bën thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një ndalim të përkohshëm (moratorium) për çdo leje të re, ndërtim apo zhvillim në zonat e mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e ligjit që nuk përputhen me standardet, dhe derisa Shqipëria të garantojë plotësisht mbrojtjen e natyrës sipas rregullave të BE-së.", thuhet në përfundim të rezolutës.

Çfarë vendosi sot PE? Raporti: Të ndalohet ndërtimi
Propozime (sipas dokumentit të PE)

Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama e ka interpretuar raportin në tërësi sipas tij, pozitiv dhe që vlerëson progresin e Shqipërisë dhe mbështet procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas Ramës, amendamentet më të debatueshme janë rrëzuar nga shumica e eurodeputetëve.

Kreu i qeverisë theksoi se me këtë raport, BE i ndau lajmet e rreme dhe zhurmën politike nga çështja reale e mjedisit. Ai shtoi se kjo çështje mjedisore (Vjosë-Nartë) nuk lidhet me amendamentet e rrëzuara (Kushner, Sazan) nga shumica e eurodeputetëve gjatë votimit.

"Ja edhe PARLAMENTI EUROPIAN e ndau “shapin” e stuhisë digjitale të dizinformimit nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë - Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuan me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë. Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove! Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar.", shkruan Rama në postim.

Poll

MOS HUMB