
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur në konferencë për shtyp deklaroi se raporti përfundimtar mbi farsën elektorale të 11 majit do të jetë gati brenda datës 10 qershor. Lideri i opozitës u shpreh se ky dokument do të dërgohet në të gjitha kancelaritë dhe institucionet ndërkombëtare, përfshirë vendet anëtare të OSBE-së, Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës.
"Patjetër që janë përfshirë. Ne po operojmë, për shembull ne sot ne shpërndajmë raportin e përditësuar paraprak, i cili në fakt me terma të tjerë është një lloj raporti i ndërmjetëm. Raporti përfundimtar do bëjmë çdo gjë që të jetë gati nga data 10 qershor. Por ndërkohë, ne si dokumente i nisim që të gjitha në misionin e ODIHR dhe misione të tjera vëzhguese. Ku do shkojë raporti përfundimtar? Raporti përfundimtar do shkojë në të gjitha kancelaritë e vendeve anëtare të OSBE-se, BE-së dhe Këshillit të Europës,'-u shpreh Berisha.
Gjatë konferencës, Berisha u pyet nga gazetarët edhe për zgjedhjet e vitit 2021 në lidhje me deklarimin e tyre nga ish-kryetari Lulzim Basha si masakër elektorale. Berisha, ka lëshuar akuza të forta në drejtim të Bashës, duke e akuzuar se pas zgjedhjeve të 11 majit nuk denoncoi parregullsitë zgjedhore, por u përqendrua vetëm tek ruajtja e karriges së tij politike.
Kreu i PD kujtoi qëndrimin e tij të hershëm ndaj zgjedhjeve të vitit 2021, të cilat i cilësoi si një farsë të dokumentuar. Ai tha se më 27 prill të atij viti kishte publikuar një status me titull “Vota vdiq pa hyrë në kuti”, ku kishte renditur arsyet pse procesi zgjedhor, sipas tij, ishte i manipuluar.
"Lulzim Basha nuk bëri as edhe përpjekjen më të vogël për të denoncuar dhe faktuar farsën elektorale të vitit 2021, kurse unë e kam denoncuar atë. Madje edhe atëhere, më 27 prill, kam bërë artikullin se vota vdiq pa hyrë në kuti. Unë kam urdhëruar faktimin e provave për zgjedhjet e 11 majit, dorëzimin e tyre. Kurse Lulzim Basha luftoi për karrigen e tij, e patë ju, ai nuk ishte i lirë, ai kishte projekt tjetër. Ai kishte projekt koalicionin. Lexoje ti mesazhin që i shpallte të dy fitimtarë të zgjedhjeve (pretendon aleancën Basha-Rama për qeveri të gjerë PD-PS). Unë nuk kam dy standarde, jam koherent në atë që kam thënë, e kam thënë edhe më 2021, një herë faktimi dhe më pas analiza. Kam bërë përpjekje për ta denoncuar këtë farsë,"-deklaroi Berisha.