
TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është shprehur se është gati që t'i bashkohet çdo aksioni që do të vendoset nga Partia Demokratike. Në një konferencë për mediat, një ditë pas protestës së opozitës, Meta ka deklaruar se do t’i bashkohet Sali Berishës, pasi ky i fundit paralajmëroi ngujime dhe greva urie.
“Çdo aksion do të ketë mbështetjen tonë më të madhe,”-tha Meta.
Pyetje: Ditën e sotme Lideri i Partisë Demokratike, Z. Sali Berisha ka deklaruar se përpos përshkallëzimit të protestave do të kemi edhe ngujime, greva, bllokime rrugësh, i bashkoheni qëndrimit të tij?
Ilir Meta: Ne i bashkohemi çdo përpjekje për tu rivendosur Rendi Kushtetues, i cili është përmbysur me kapjen totale të Shtetit dhe të gjithë Institucioneve të Pavarura nga Edi Rama. Neni 2 i Kushtetutës thotë qartë: Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit, kështu që cdo aksion që rivendos Nenin 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që është baza e gjithë Sistemit tonë Kushtetues edhe Demokratik do të ketë mbështetjen tonë më të madhe.
Dje, opozita protestoi për më pak se 4 orë në rrugët e Tiranës. Nga molotovët e hedhur nga protestuesit u dogj Kryeministria, selia e Partisë Socialiste, Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës. Pas protestës së opozitës në Tiranë, ku u hodhën flakadanë e bomba molotov, janë proceduar penalisht, sekretar i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kreu i Grupit, Gazment Bardhi dhe sekretari organizativ, Ervin Minarolli. Zyrtarët e PD-së u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”./ZËRI