
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka dërguar një mesazh kryeministrit Edi Rama. Pas protestës së djeshme të opozitës, Berisha e ka lajmëruar se ka edhe 77 mënyra të tjera të mosbindjes civile. Ndër to përmendi edhe ngujimin apo edhe grevën e urisë. Por nuk zbuloi asnjë detaj nga plani i opozitës për të arritur qëllimin e tyre: qeveri teknike para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen vitin që vjen.
"Edi Rama nuk kërkojmë pushtet në tavolinë, as ta marrim me forcë, vetëm qeveri teknike. Duam zgjedhje të lira, pse ke frikë Edi Rama? Mbrëmë ishte aksioni i parë, por mosbindja ka shuëm forma, kemi ngujime, greva dhe bllokime përpara. Kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do të shkërrmoqin narkodiktaturën. Nëse mendon se mobindja civile do të kufizohet vetëm në Tiranë, e ke gabim,"-tha Berisha ndër të tjera në fjalën e tij.
FJALA E PLOTË:
Mosbindja e djeshme ishte vetëm aksioni i parë i fillimit të ri, i fillimit të mosbindjes civile. Për Edi Ramën kam një thirrje: Opozita ka vetëm 1 javë në aksion. Me kaq ti, ke humbur parlamentin. Me kaq, institucionet e krimit, u dogjën nga flaka e revoltës... Reago sa je në kohë. Nuk kërkojmë pushtet në tavolinë, as dhe të marrim pushtetin me forcë. Kërkojmë vetëm qeveri teknike si mënyrën më të mirë, më demokratike, më të civilizuar për të garantuar zgjedhje të lira. Dhe aty në zgjedhje të lira, le të shohim se kë votojnë shqiptarët. Pse ke frikë Edi Rama? Kur mendon se fiton, pse nuk krijon qeverinë teknike? Të bëj thirrje, edhe një herë Edi Rama, krijo qeverinë teknike. Sepse javët që vijnë, mosbindja civile do të çmontojë narkoshtetin tënd. Mbrëmë ishte aksioni i parë. Por mosbindja ka shumë forma. Kemi ngujime përpara. Kemi greva. Kemi bllokime permanente rrugësh. Kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do asfiksojnë dhe paralizojnë narkoshtetin. Që do ta shkërmoqin narkodiktaturën. Dhe nëse ti mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe do kufizohet aty, mendohu mirë Edi Rama. Se së shpejti në mosbindje do kesh Shkodrën. Pastaj Durrësin. Vlorën. Kukësin. Tepelenën. Lezhën. E kështu me radhë, mbarë Shqipërinë. Se nuk ke lënë qytet pa masakruar me shpopullimin e tij. Nuk ke lënë qytetarë pa varfëruar me vjedhjet e tua. Nuk ke lënë familje shqiptare pa gjymtuar. Dhe i gjithë vreri që ke derdhë mbi shqiptarët, do plasë mbi ty javët që vijnë. Të dashur qendrestare dhe qendrestarë. Rikujtoj dhe një herë, që jemi në misionin më të rëndësishëm të jetës sonë. Zoti do bekojë gjithë ata guximtarë që dje drodhën narkoshtetin. Mediat e gjithë botës dje i kanë bërë jehonë të jashtëzakonshme guximit, heroizmit të opozitarëve shqiptarë. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe sepse ne Europë, në SHBA dhe ne mbare vendet e lira ne kemi shume miq, mijëra e mijëra herë me shumë se sa mendojmë. Sepse nuk ka gjë më frymëzuese, më fisnike, se një popull që reagon ndaj tiranisë së bandave, ndaj padrejtësisë. Që sulmon krimin. Që djeg korrupsionin. Që lufton për votën e lirë.
Dje, opozita protestoi për më pak se 4 orë në rrugët e Tiranës. Nga molotovët e hedhur nga protestuesit u dogj Kryeministria, selia e Partisë Socialiste, Ministria e Brendshme dhe Bashkia e Tiranës. Pas protestës së opozitës në Tiranë, ku u hodhën flakadanë e bomba molotov, janë proceduar penalisht, sekretar i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kreu i Grupit, Gazment Bardhi dhe sekretari organizativ, Ervin Minarolli. Zyrtarët e PD-së u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”./ZËRI