Politikë

Jurgis Çyrbja dorëzoi mandatin e deputetit, emri që do ta zëvendësojë

Tani pritet që ai të zëvendësohet nga Erjon Meka, i cili në zgjedhjet e fundit mori 2228 vota.

I.F
Jurgis Çyrbja dorëzoi mandatin e deputetit, emri që do ta
Jurgis Çyrbja dhe Erjon Meka

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja ka dorëzuar mandatin e tij, pas vizitës së tij në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mësohet se ai e ka dorëzuar dje mandatin e tij në Kuvend për arsye shëndetësore.

Çyrbja tha se ai nuk ka probleme ligjore, por shëndetësore, prandaj dorëzoi mandatin e tij. Tani pritet që ai të zëvendësohet nga Erjon Meka, i cili në zgjedhjet e fundit mori 2228 vota.

“Kam nevojë për kohë. Do të kujdesem për shëndetin tim. Nuk kam asnjë shqetësim të natyrës ligjore. Dorëheqja nuk lidhet me thirrjen në SPAK. Ishte një vendim që e mora në vlerësim të situatës sime personale”, tha ai për "Report Tv".

Çyrbja u zgjodh për herë të parë në vitin 2017 dhe ky ishte mandati i tij i dytë si deputet. Në vitin 2021, ai mori 6583 vota dhe doli i treti më i votuari në qarkun e Durrësit.

Ish-deputeti u paraqit në SPAK pasi u kallëzua nga deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka se gjatë kohës kur ishte drejtor hipoteke shpërdroi detyrën e tij. Sipas denoncimit të Palokës, deputeti socialist firmosi brenda ditës dy certifikata për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar "mbivendosje prone".

Po ashtu, Paloka pretendoi se javët e fundit të fushatës Çyrbja ka shpërndarë në Kadastrën e Durrësit çertifikata dhe legalizime, sikur të ishte ende drejtor Hipoteke. /ZËRI

Poll

MOS HUMB