
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Jurgen Çyrbja ka qëndruar sot për më shumë se 5 orë pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pasi ai ka dalë nga ambientet e SPAK, deputeti socialist ka zgjedhur që të mos tregojë asnjë detaj lidhur me atë që ka deklaruar në Prokurori. Pasi ka dalë, ai ka thënë për gazetarët: Nuk jam marrë i pandehur. Nuk kam tjetër koment!
Ndërsa teksa po hynte, u pyet nga gazetarët se përse ndodhet aty, deputeti socialist u përgjigj se nuk kishte asnjë informacion.
“Se di, të shohim,”- dëgjohet ai në video.
Por mësohet se sot Çyrbja është paraqitur në SPAK pasi u kallëzua nga deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka se gjatë kohës kur ishte drejtor hipoteke shpërdroi detyrën e tij. Sipas denoncimit të Palokës, deputeti socialist firmosi brenda ditës dy certifikata për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar "mbivendosje prone".
Po ashtu, Paloka pretendoi se javët e fundit të fushatës Çyrbja ka shpërndarë në Kadastrën e Durrësit çertifikata dhe legalizime, sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.
“Çyrbja, ish-drejtor i Hipotekës Durrës, akuzohet për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone,”- ka deklaruar në vitin 2021, Edi Paloka.
Në atë kohë, opozita kishte kërkuar edhe arrestimin e deputetit socialist./ZËRI