Politikë

‘Jurist i panjohur’! Çështja "Becchetti” përplas Himçin me Ramën: S'ka për të marrë asnjë kokërr leku, jeni bërë si ‘zhelet e gabit’

Në replikë Rama tha se qeveria e njeh vendimin e arbitrazhit dhe theksoi se Becchetti nuk ka marrë para nga shteti shqiptar dhe nuk ka për të marrë.

F.I
‘Jurist i panjohur’! Çështja "Becchetti”
Blendi Himçi dhe Edi Rama

TIRANË-Arbitrazhi me biznesmenin Francesco Becchetti solli një përplasje në Kuvend mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të PD-së, Blendi Himçin. Demokrati akuzoi qeverinë se nuk po zbaton vendimet gjyqësore, duke iu drejtuar Ramës se nuk e njeh vendimin ndërkombëtar të Gjykatës së Arbitrazhit dhe sipas tij e njëjta histori po ndodh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me pagat e punonjësve.

Në replikë Rama tha se qeveria e njeh vendimin e arbitrazhit dhe theksoi se Becchetti nuk ka marrë para nga shteti shqiptar dhe nuk ka për të marrë. Kreu i qeverisë deklaroi gjithashtu se vendimi nuk është ekzekutuar dhe çështja ka marrë edhe një tjetër zhvillim për shkak të përfshirjes së SPAK.

Blendi Himçi: Zoti kryeministër, ju e dini shumë mirë se vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit, ku Shqipëria është aderuese, janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Tani më dëgjoni deri në fund, ju dëgjova me shumë vëmendje. Po pse e keni gjithë këtë acarim? Vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit as ankimohen dhe as janë thjesht të zbatueshme për atë shtet. Ju si qeveri, pavarësisht se thoni ‘do të marrë zero lekë’, nënkuptoni me këtë shprehje që nuk e njihni atë vendim ndërkombëtar të Gjykatës së Arbitrazhit.

Edi Rama: E vërteta është që ai vendim nuk është ekzekutuar, i dashur jurist i panjohur, sepse ne jemi në disa procese, e kemi kontestuar në rrugët që kemi gjetur dhe deri tani subjekti jo vetëm nuk ka marrë asnjë kokërr leku dhe nuk ka për të marrë asnjë kokërr leku, por ka hyrë në një telash shumë të madh me Republikën e Shqipërisë, sepse nga një kundërshtar në arbitrazh është objekt i së drejtës penale, qoftë këtu, qoftë edhe jashtë. Kjo është e vërteta për këtë pjesë dhe paratë e bllokuara të Albcontrol-it janë në një fond të ngrirë dhe do të preken vetëm kur të mbarojë sqarimi i çështjes. Ndërkohë, po ju përsëris që edhe vetë SPAK ka hyrë aktivisht në këtë çështje, pikërisht sepse ne qysh në krye të herës kemi qenë shumë të qartë. Unë ju kam thënë qysh në krye të herës që mos e tallni dhe mos e merrni për budalla popullin shqiptar, duke i treguar se ‘ikën 100 milionë, ikën 450 milionë, ikën 45 milionë, ikën 70 milionë’, sepse, po qe puna për llogari, siç i bën ky popull, nuk i bën njeri. Prandaj aq mirë e llogarit edhe sa vleni ju, sa në çdo zgjedhje jua ul çmimin dhe jua ka bërë si rroba të gabit. Kështu jeni bërë ju në politikën shqiptare: rroba të gabit ose, siç thoshte fort e nderuara Jozefinë, ‘zhele të gabit’.

Konflikti me Francesco Becchettin

Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Beçhetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh në vitin 2020. Pas këtij vendimi, investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel, ndërkohë që qeveria thekson se beteja ende nuk ka mbaruar.

Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Beçhetti ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë. Por në prill 2023, Beçhetti fiton përfundimisht Arbitrazhin me qeverinë shqiptare.

Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës, kur u bllokuan asetet e Francesco Beçhetti-t. Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel, element që u përdor nga Beçheti për të çuar çështjen në Arbitrazh. Ndërsa në shkurt të vitit 2022 Gjykata e Tiranës dënoi me 17 vite burg sipërmarresin italian Francesco Beçhetti./ZËRI

Poll

MOS HUMB