TIRANË-Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar në parim draftin e mazhorancës për rritjen e pagave të magjistratëve, me 8 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim. Drafti parashikon rritjen e pagës referuese të magjistratëve nga 36% në 38% të pagës së Presidentit të Republikës.
Sipas draftit, rritja përkthehet në rreth 8,500 lekë më shumë në pagën referuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por paga e miratua nga KLGJ e KLP është 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë më e lartë.' Fjalën' e fundit do e thotë Kuvendi, ku në seancën plenare të 17 shtatorit, drafti pritet të kalojë për shqyrtim dhe votim në seancë plenare.
“Me këtë nismë synojmë të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Synojmë përcaktimin e pagave, por edhe pabarazinë në hierarkinë brenda sistemit. Neni 138 garanton se pagat e përfitimeve dhe gjyqtarëve nuk mund të ulen. Kushtetuesja nuk na ka referuar një formulë të detyrueshme, zgjedhja është te ligjvënësi me kushtin që të mos ketë ulje. Koeficienti 0.38 është zgjedhur për garancitë kushtetuese për magjistratë, por edhe nga ana tjetër ta themi hapur, ka marrë në konsideratë mundësitë e buxhetit të shtetit”, tha propozuesja e draftit Aulona Byklykbashi.
Byklykbashi u shpreh se Gjykata nuk ka imponuar një formulë të vetme numerike për përcaktimin e pagave, por ia ka lënë ligjvënësit zgjedhjen e modelit, me kusht që të respektohen standardet kushtetuese. Opozita e kundërshtoi draftin me arsyetimin se qeveria nuk po respekton vendimet e Kushtetueses. Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, deklaroi se situata e krijuar me pagat është pasojë e mosrespektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga qeveria.
“Çdo gjë ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit të disa herëve se qeveria nuk çan kokën për vendimet e Kushtetueses. Më habit fakti që edhe pse Kuvendi e ka deleguar nismën që në prill të këtij viti qeverisë dhe nisma s’vjen nga qeveria, po nga dy kolegë të nderuara. Këshilli i Legjislacionit i ka kërkuar qeverisë shqiptare të paraqesë projektligjin. Kemi këtu përfaqësuesin e Min. së Drejtësisë që është shumë i kënaqur. Na mungon fatura e plotë financiare, por ne nuk i kemi në projektrelacion këto shifra, pa to s’bëjmë dot”, tha Bozdo.
Pse u krijua ngërçi me pagat në drejtësi?
Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Pas kalimit dhe afatit dhe në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. KLGJ dhe KLP argumentuan se ishin të detyruara të zbatonin vetë vendimin e Kushtetueses dhe përcaktuan pagën referuese.
Nga ana tjetër, Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat e përllogaritura me rritjen, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit. Në një reagim zyrtar, Ministria e Financave kërkoi që të ridërgoheshin listëpagesat sipas metodologjisë së mëparshme. Sakaq, për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive./ZËRI
