Politikë

Kryemadhi pas daljes nga GJKKO: Më shumë komunikime kam me Ramën se me Metën, ai është zero në komunikim

Ajo pretendoi se në dosje nuk ka firma apo komunikime të Ilir Metës dhe se një pjesë e komunikimeve të saj kanë qenë me kryeministrin Edi Rama.

M.K.
Kryemadhi pas daljes nga GJKKO: Më shumë komunikime kam me Ramën
Monika Kryemadhi

TIRANË- Monika Kryemadhi ka folur për mediat pas daljes nga Gjykata e Posaçme ku u zhvillua seanca e radhës për çështjen ku ajo dhe ish-presidenti Ilir Meta janë të përfshirë. Seanca u shty për shkak të mungesës së një prej anëtarëve të trupit gjykues.

Në prononcimin e saj, Kryemadhi u ndal te përmbajtja e dosjes së SPAK duke kundërshtuar mënyrën se si është ndërtuar çështja ndaj saj dhe ish-bashkëshortit. Ajo pretendoi se në dosje nuk ka firma apo komunikime të Ilir Metës dhe se një pjesë e komunikimeve të saj kanë qenë me kryeministrin Edi Rama.

“Unë jam shumë e zhgënjyer, sepse Vlora i fikte radarët për Gysin. Përsa i përket çështjes sonë, dosja jonë është një dosje që ka të bëjë me çështjen e inceneratorëve. Nuk është çështja për të bërë drejtësinë e vërtetë, por për t’i linçuar njerëzit. Për t’i futur në një kafaz dhe ta mbash në një izolim total. E gjithë dosja rrotullohet rreth meje. Sepse në të gjithë dosjen nuk ke asnjë firmë apo komunikim të Ilir Metës,”deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi vijoi duke iu referuar pjesëve të dosjes që lidhen me komunikimet e nxjerra nga telefoni i saj. Ajo pretendoi se në këto komunikime Ilir Meta nuk shfaqet ndërsa përmendi kryeministrin Edi Rama.

“Përsa i përket aspekteve apo seksioneve që ngrihen në akuzë, janë tre seksione që kanë dalë si rezultat i telefonit, në të cilat Ilir Meta është zero në komunikim dhe është Edi Rama personi kryesor, që ka firmosur dhe që ka qenë në kontakt me mua më shumë se Meta përsa i përket veprimtarisë,” tha Monika Kryemadhi.

Më tej, ish-deputetja ngriti pretendimin se Rama duhet të japë shpjegime për çështjen, duke thënë se ai nuk është pyetur.

“Nuk është pyetur Rama, jo më të merret i pandehur,” u shpreh ajo.

Kryemadhi komentoi gjithashtu edhe mënyrën e trajtimit të Ilir Metës gjatë procesit gjyqësor. Ajo e krahasoi situatën me mënyrën se si trajtohen të akuzuarit në disa vende europiane.

“Terroristët në Europë ulen në bankë krah avokatit, këtu mbyllen në kafaz,” tha kryemadhi.

Në fund të prononcimit Kryemadhi foli edhe për marrëdhënien me ish-bashkëshortin e saj duke deklaruar se nuk ka pasur pajtim mes tyre.

“Me Metën nuk jam pajtuar dhe nuk pajtohem. Jeta vazhdon,” përfundon Monika Kryemadhi./ZËRI

Poll

MOS HUMB