TIRANË- Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e Mirënjohjes Kombëtare të dhënies së medaljeve dhe shpërblimeve për të gjithë forcat e angazhuara në operacionet e shpëtimit ndaj zjarreve. Teksa bëri një rezyme të situatës së vështirë të zjarreve në vend, kryeministri vlerësoi punën e ushtarakëve, punonjësve civilë dhe personelit mjekësor, duke e cilësuar situatën si një “kronikë dramatike, por me nota përkushtimi”.
“Të nderuar ushtarakë, civilë dhe mjekë. Jemi sot këtu për të shprehur mirënjohjen dhe për t’u përulur me respekt përpara jush dhe gjithë asaj që ju përfaqësoni. Beteja e zjarreve që përfshiu territore të konsiderueshme të territorit tonë ishte një kronikë e gjatë ethesh, plagësh, dhimbjesh, një kronikë dramatike, por me nota stërmundimi përkushtimi dhe momente kulmore edhe heroizmi njerëzor, që i bëjnë nder uniformave tuaja dhe falë jush nderojnë shtetin shqiptar, lartësojnë republikën tonë“, tha kryeministri Rama.
Kreu i qeverisë, gjatë fjalës së tij në ceremoninë për nderimin e zjarrfikësve që lufuan me flakët, u ndal te kritikat për disa gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët sipas tij, kanë vepruar jo në interes të publikut. Për të gjithë ata që sulmojnë japin vendime kundër interesit publik në proces me zjarrvënësit, Rama paralajëmroi pasoja dhe masa.
“Mijëra njerëz me uniformë derdhën energjitë e tyre në një përkushtim që shkon deri në vetëmohim, në luftë sfilitëse me zjarret dhe mijëra hektarë pasuri pyjore përpihet nga flakët, disa personave që nuk u dihen emrat me integritet zero i përqeshin të gjitha sakrificat dhe i shkelin me 4 këmbët interesat duke dhënë vendime të ‘ububushme’ jo në mbrojte të republikës, por në favor të zjarrvënësve… I kam kërkuar ministrit të drejtësisë t’ia përcjellë gjyqësorit rastet e mësipërme. Nuk janë shumë por mjaft për të vënë duar në kokë. Nuk do të lëmë gur të shtratit ligjor të kësaj republike për të vendosur përpara përgjegjësisë publike dhe institucionale çdo prokuror apo gjykatës që do të sulmojë haptazi shtetin dhe interesin publik në proces me zjarrvënës, zaptues apo gllabërues të të mirave dhe pasurive publike të këtij vendi. Nuk do kursejmë çdo mbështetje për prokurorë dhe gjyqtarë që i shërbejnë misionit të Shqipërisë 2030, duke luftuar korrupsion dhe krim të organizuar në mbrojtje të interesit publik.", tha Rama.
Rama vlerësoi reagimin efikas të shërbimeve zjarrfikëse në Shqipëri, duke shmangur dëme të mëdha dhe viktima. Ndëkrohë që sipas Rama, vende të tjera të Mesdheut si Franca, Greqia, Italia, Portugalia dhe Turqia, u përballën me zjarre dramatike dhe regjistruan numër të lartë viktimash dhe dëme të konsiderushme. Në një përgjigje për kritikat, teksa theksoi se edhe vende të mëdha hasën në vështirësi, Rama konfirmoi se Shqipëria do të disponojë flotën e saj ajrore për përballimin e emergjencave natyrore.
“Ndërkohë që i gjithë Mesdheu ishte në flakë si asnjëherë më parë, në Francë, Portugali, Greqi e Itali. U dogjën qindra mijëra hektarë tokë, kurse Turqia numëroi dhe viktima. Parafytyroni që BE del nga kjo verë me mijëra hektarë tokë të bëra shkrumb e hi. Prandaj kur dëgjojmë që shajnë Shqipërinë, duhet të kenë parasysh që avionët nuk janë magjistarë, por ndihmës të cilët nuk na kanë munguar nga mbështetja e BE, ku Shqipëria bën pjesë me të drejta të plota. Avionët janë një krah i fuqishëm, ku ne do të kemi së shpejti flotën tonë, e cila do të jetë me dy avionë zjarrfikës. Por, kryesorja jonë është forca në tokë”, tha kryeministri Rama.
Kjo verë me temperatura ekstremisht të larta, duke regjistruar edhe vlera rekord mbi 40 gradë, ka sfiduar si asnjëherë Shqipërinë nga zjarret. Vatra zjarri në të gjithë vendin, nga veriu në jug, teksa vijon monitorimi për vatrat që janë ende aktive deri në shuarjen e plotë të tyre. /ZËRI