TIRANË- Në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të mazhorancës dhe grupit parlamentar. Mësohet se këto takime do të vijojnë deri në fundjavë ku më pas Rama do të niset në Slloveni në 1-2 shtator në një forum.
Prej dy ditësh në dyert e kryeministrisë janë parë figura të kampit socialist, por asnjë detaj nuk dihet më shumë për këto takime me dyer të mbyllura. Megjithëse, fokus mendohet të jetë përgatitja e Asamblesë së Partisë Socialiste, e cila pritet të jetë forumi më i rëndësishëm politik i PS-së për të zyrtarizuar formacioni ‘Rama 4’.
Ndërkohë pritet edhe një ristrukturim i komisioneve. Komisioni aktual i Veprimtarisë Prodhuese do të ndahet në tri komisione, Komisioni për Bujqësinë, Komisioni për energjinë dhe Komisioni për Infrastrukturën, Mjedisin dhe Digjitalizimin. 7 komisione do të drejtohen nga PS, ndërsa 4 nga PD. Po ashtu komisioni Xhafaj do të jetë i përhershëm. Komisioni “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian” pritet të kthehet në një komision të përhershëm, ku do të përfshihen opozita dhe mazhoranca.
Në ditët në vijiim, pritet që kryeministri Edi Rama të mbledhë Asamblenë Kombëtare të PS-së, që zakonisht e thirr në ditët e fundit të gushtit, për të shpallur qeverinë e re. Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës. Brenda 20 shtatorit, vendi do të ketë Kuvendin dhe qeverinë e re. Kush do të jenë ata, do të duhet të presim edhe pak./ZËRI