TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “Kurse”, të cilat synojnë rritjen e transparencës dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Përmes këtyre nismave synohet që t'u jepet më shumë informacion qytetarëve mbi çmimet dhe mundësi për të përfituar nga ofertat e favorshme.
Sipas kreut të qeverisë, është arritur një marrëveshje me 5 subjekte të rëndësishme të tregtisë ushqimore në vend për një sërë artikujt ushqimore që të mbahen të qëndrueshme deri më 12 janar 2027. Kryeministri bën me dije se deri më tani mbi 200 produkte janë pjesë e pasqyrës, ndërsa deri në fund të vitit synohet të jenë 1000.
“Më vjen mirë që e realizuam këtë objektiv të parë pa pasur nevojë për asgjë më shumë se sa mirëkuptim. Dhe e gjetëm mirëkuptim duke rënë dakord se sot është një kohë për të parë përtej fitimit ditor dhe respekti për konsumatorit realizohet edhe në formën e dijes. Në kushtet e rritjes së kostove në tërësi që janë një karakteristikë e të gjitha vendeve, duhet bërë një hap përtej asaj vije tradicionale ndarëse mes atij që shet dhe atij që blen duke ofruar një mundësi më shumë, falë këtij mirëkuptimi dhe ndërveprimi të këtyre pesë subjekteve të rëndësishme në tregtinë e ushqimeve në Shqipëri, jemi praktikisht me këtë pasqyrë në dorë, pasqyrën e çmimeve dhe këtë marrëveshje për një sërë artikujsh që do kenë çmim të arsyeshëm dhe të palëvizshëm deri në 12 janar të vitit të ardhshëm...Thirrja jonë do të jetë mirëkuptimi dhe gjithëpërfshirja në këtë nismë. Janë mbi 200 artikuj që janë pjesë e pasqyrës dhe deri në fund të vitit synojmë të jenë 1000. Subjektet përditësojnë çmimet në pasqyrë dhe qytetarët njihen në kohë reale", tha Rama./ZËRI