
TIRANË-Drejtuesja politike e PD-së për diasporën, Jozefina Topalli, në një deklaratë për media të mbajtur ditën e sotme, shprehu shqetësimin e vazhdueshëm për problematikat e zarfeve me votat e emigrantëve në Greqi. Topalli pretendon se ka shqetësime nga qytetarët shqiptarë në Greqi, të cilët po hasin vështirësi të mëdha për të marrë zarfe votimi, pasi ato nuk arrijnë në adresat e tyre, ndërkohë që kutitë me fletë votimi të mbushura vazhdojnë të mbërrijnë në Tiranë.
Jozefina Topalli: Vazhdojmë të kemi njoftime të skemave të krimit zgjedhor, në mënyrë të veçantë në Greqi, që është thyer jo vetëm në shqetësim, por në një alarm për integritetin e votës në këtë pjesë. Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe kemi shprehur shqetësimin tonë, të përcjellë nga qytetarë shqiptarë që jetojnë në Greqi, në zona të ndryshme, se ata e kanë të pamundur që të marrin zarfe. Zarfat nuk shkojnë në shtëpi dhe ata nuk i gjejnë aty. Pra, ndërkohë që nuk kanë mundësi të marrin fletën e votimit, këtu në Tiranë vijnë kuti të pafundme me fletë votimi të plotësuara. Dhe ajo që po ndodh sot, dje dhe para tre ditësh është mjaft interesante, është pikërisht derivati i manipulimit të skemës në tërësi të procesit zgjedhor në Greqi dhe ndodh vetëm për Greqinë. Kuti të mbushura, ndërkohë që njerëzit nuk kanë marrë fletën e votimit për të votuar, vijnë kuti të papërfillshme nga vendet e tjera apo nga e gjithë bota. Në këto kushte, jemi të detyruar ti kërkojmë KQZ-së që kutitë që vijnë nga Greqia të trajtohen në mënyrë të veçantë dhe të mos bashkohen me vendet e tjera, meqenëse ne kemi dyshime të forta për skemën e manipulimit të votës së shqiptarëve në Greqi. Vazhdoj të përsëris thirrjen për OSBE-ODIHR që të ketë një fokusim të madh me atë që po ndodh me manipulimin me votën e shqiptarëve në Greqi. Përsërisim SPAK kërkesën për të hetuar këtë skemë që nuk ndodh në vendet e tjera, por ndodh vetëm në vendin fqinj, duke fyer në fakt dinjitetin dhe të drejtën e votës.