TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish kundrejt gjyqtarit Hazbi Balliu, pasi ky i fundit vendosi të bllokojë vendimin e konfiskimit të një pallati në Tiranë, ndërtesë pa leje, ku u vendos që të zhvendosej Agjencia e Kadastrës. Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, Rama ka publikuar një foto lidhur me vendimin e arsyetuar të tij për të legjitimuar një pallat në Tiranë. Vendimin për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të pallatit, kreu i qeverisë e quan "skandaloz", ndërsa akuzon se prokurorë e gjyqtarë po i shërbejnë ndërtuesve të paligjshëm. Shefi i qeverisë bën thirrje për organet e gjyqësorit (KLP, KLGJ dhe ILD) që të 'zgjohen' nga gjumi që po bëhet i rrezikshëm.
Në postim, Rama ka publikuar foto ku tregohet situata e godinës së vjetër të ASHK-së, duke theksuar se sipas arsyetimit të Balliut, godina është në kushte normale ku mund të zhvillohet shërbimi.
Postimi i Ramës:
Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.
Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi
Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima.
Gjyqtari Hazbi Balliu është një magjistrat i ri, i diplomuar në vitin 2019 në Shkollën e Magjistraturës. Prej asaj kohe, ai ka punuar si gjyqtar në Gjykatat Administrative të Gjirokastrës, Lushnjes dhe së fundmi të Tiranës.
Në reagimin e tij në përgjigje të kritikave të Ramës, gjyqtari Hazbi Balliu tha se ndryshe nga sa pretendonte kryeministri, vendimi i tij nuk hiqte konfiskimin mbi godinën, por pezullonte tjetërsimin e saj.
Gjyqtari Hazbi Balliu nuk është i vetmi magjistrat i sulmuar nga kryeministri Edi Rama për vendimarrjen e tij. Përgjatë qeverisjes së tij, Rama u ka bërë shpeshherë gjyq publik prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë marrë vendime kundër qeverisjes së tij. Vetëm gjatë këtij viti, Rama ka atakuar direkt gjyqtarin dhe prokurorin e çështjes ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, një gjyqtare të Tiranës që rrëzoi padinë e tij për shpifje ndaj Lulzim Bashës si dhe prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli për kallëzimin penal të kabinave pa leje në fshatin turistik të Thethit./ZËRI