TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar sot listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet parlamentare. Berisha e quajti listën e mbyllur të PS, 'listën e Skapit'. Kreu i PD u shpreh se lista përbëhet nga emra që kanë dosje mbi shpatulla.
Sali Berisha: Ndërkohë, shqiptarët panë listën e Skapit në krahun tjetër. Të gjithë ministrat me dosje kuintalëshe mbi shpinë u futën njëri pas tjetrit në listën e mbrojtur, për shkakun e vetëm se kanë vjedhur bashkë me Edi Ramën. Se ata që nuk kanë vjedhur bashkë me Edi Ramën, por kanë ngrënë dardha veçmas, ata morën udhët, morën urët. Kjo është e vërteta. Ministrat, si Lubia, si Mazniku 1000 euro bifteku. Si Lubia, që ka administruar 12 miliardë euro të shqiptarëve kanë avulluar në drejtime më të paditura. Klosi, që është simboli i bixhozit, dhe e kuptoni ju vetë se çfarë do të thotë të jesh simbol i bixhozit, që le edhe lëkurën tënde peng. E keni lexuar ju, ’24 orë nga jeta e një gruaje’ të Stefan Zvajkut? Iu lutem qytetarëve, lexojeni këtë tregim për të patur idenë e plotë se çfarë përfaqëson Blendi Klosi, Blendi i Bixhozit. Shalsi, që sa shkoi përgjaku Kukësin. Shalsi, që iu qahej të tjerëve se mbetën tek vjehrra 8 apartamente, kur iku nga bashkia. Listë të mbyllur. Po Çuçi, që i detyrohet familjarisht 10 milionë euro të vjedhura, të përvetësuara nga Delina, që në rast se taksapaguesit amerikanë kërkojnë t’iu kthehen paratë, këto i konvertohen në vite burgu. Po Vengu? Dezertori i NATO-s. Një nga anëtarët e çetës 5B. Edhe ai në mbrojtje, sepse kreu detyrën me ngarkesat e kokainës dhe të tjera. Po Nikua? Peleshi, mbi të cilin rëndojnë afera nga më të rënda, firma ndër më të zezat. Qytetarët korçarë e kanë të qartë, se kush ka firmosur në vendin e Edi Ramës për djegësin e Elbasanit. E garantoj Nikon se, edhe mandat mbi mandat të marrë, drejtësisë nuk do i shpëtojë.Shqiptarët, panë një garë mahnitëse. Kandidatët e tyre nuk erdhën nga bodrumet e shtëpive mafioze. Nuk erdhën nga Dubai, Aruba apo qendra të tjera të rrezikshme të mafies shqiptare, por erdhën nga vota nga konsulta demokratike e anëtarëve të PD.
Partitë politike kanë dorëzuar tashmë listat e hapura dhe të mbyllura për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 11 Maj. Sa i përket Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës nga 49 kandidatë mes tyre 12 emra janë rezervuar për në listën e mbyllur dhe 37 në listën e hapur. Nga ana tjetër 13 deputetë të Partisë Demokratike janë në listën e hapur për zgjedhjet e "11 majit dhe 19 demokratë në listat e mbyllura. Lista u dorëzua edhe nga koalicioni Euroatlantik I Lulzim Bashës dhe koalicioni “Nisma Shqipëria” drejtuar nga Adriatik Lapaj. Sa i përket PSD Vetë Tom Doshi ka zgjedhur që të garojë për të marrë mandatin e tij në qarkun e Shkodrës. Nga ‘Partia Mundësia’, Agron Shehaj ka vendosur të kandidojë në një nga qarqet më të rëndësishme, Tiranën./ZËRI