Politikë

'Lodhje nga shpërfillja e shtetit'! Protesta në vëmendjen e SHBA, kongresmenët: Të rinjtë të kenë zë, të ndalet dhuna

Kongresmeni amerikan Keith Self e lidh protestën e të rinjve në Shqipëri, me mosbesimin e qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe pakënaqësinë për shpërfilljen e shtetit të së drejtës.

F.I
'Lodhje nga shpërfillja e shtetit'! Protesta në
kongresmenët amerikanë

TIRANË-Teksa prej pesë ditësh Tirana është në kaos, mes protestave të studentëve, të cilat janë shoqëruar me trazira, tensione dhe përplasje fizike me efektivët, zhvillmet kanë marrë edhe vëmendjen e kongresmenëve amerikanë. 

Kongresmeni amerikan Keith Self e lidh protestën e të rinjve në Shqipëri, me mosbesimin e qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe pakënaqësinë për shpërfilljen e shtetit të së drejtës. Republikani Joe Wilson shprehet i shqetësuar dhe thekson se populli shqiptar meriton liri, shtet të së drejtës dhe përgjegjshmëri institucionale. Wilson kërkon nga qeveria të ndalë dhunën. Ndërkohë edhe kongresmeni Robert Aderholt ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me trazirat në Shqipëri. Aderholt deklaron se të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zërin e tyre në formësimin e së ardhmes së vendit.

Edhe Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe qetësi nga të gjitha palët. Ajo shton se qytetarët demonstrues kanë të drejtat e tyre, por duhet t’i shprehin paqësisht pa akte të dhunshme. Sipas tyre, dhuna dhe lëndimi fizik i të tjervë nuk janë angazhim qytetar.

REAGIMET:

Kongresmeni republikan, Robert Aderholt: Jam thellësisht i shqetësuar për trazirat në përshkallëzim në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione që japin llogari dhe lirinë për ta shprehur zërin e tij. Të gjitha palët duhet ta refuzojnë dhunën, ndërsa qeveria duhet t’i respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë. Të rinjtë shqiptarë meritojnë të kenë zërin e tyre në formësimin e së ardhmes së vendit.

Kongresmeni republikan amerikan Joe Wilson: Po e ndjek me shqetësim të madh përshkallëzimin e krizës në Shqipëri, aleate e NATO-s. Populli shqiptar meriton liri, shtet të së drejtës dhe përgjegjshmëri institucionale. Qeveria duhet të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve. Të rinjtë meritojnë të kenë zë në përcaktimin e së ardhmes së vendit të tyre.

Kongresmeni amerikan Keith Self: Protestat në Shqipëri janë kulmi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja totale e shtetit të së drejtës. Drejtuesit e Shqipërisë duhet t’u kushtojnë vëmendje thirrjeve për ndryshime thelbësore, të cilat do të krijojnë mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal.

Ambasada e SHBA-së: Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar. U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme. U bëjmë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi.

Poll

MOS HUMB