Politikë

Rama nxorri letrën e UÇK, del shkresa tjetër: Dritan Goxhaj në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (FOTO)

Pas këtij episodi, vëmendja publike është zhvendosur tërësisht te figura e tij, kryesisht pasi kryeministri Edi Rama, në një reagim të ashpër ndaj tij, publikoi një dokument ku pretendohej se Goxhaj kishte refuzuar të merrte pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës.

zh.ll
Rama nxorri letrën e UÇK, del shkresa tjetër: Dritan Goxhaj
foto ilustrim: dritan goxhaj-edi rama (dokumentet e publikuara)

TIRANË- Në ditën e 23-të të protestës së qytetarëve në Tiranë kundër ndërtimeve në Zvërnec, një nga figurat që mori vëmendje ishte Dritan Goxhaj. Ai ishte personi që mbajti fjalim para protestuesve dhe paraqiti pesë pika kryesore drejtuar qeverisë.

Pas këtij episodi, vëmendja publike është zhvendosur tërësisht te figura e tij, kryesisht pasi kryeministri Edi Rama, në një reagim të ashpër ndaj tij, publikoi një dokument ku pretendohej se Goxhaj kishte refuzuar të merrte pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Rama publikoi një dokument që, sipas tij, i përket UÇK-së dhe hedh dritë mbi një episod të vitit 1999. Ai e ka quajtur Goxhajn manipulator, pasi sipas tij, Goxhaj gjatë gjithë kësaj kohë ka pretenduar se ka qenë luftëtar i UÇK në Kosovë dhe Preshevë.

Në dokumentin e UÇK-së të tregohet se si më 14 prill 1999, në qendrën stërvitore të UÇK-së në Helshan mbërritën si vullnetarë katër oficerë të Ushtrisë Shqiptare, Arqile Mandro, Ermir Begaj, Driton Çyrmishaj dhe Agim Sallaku. Sipas dokumentit, kur është pyetur nëse do të qëndrojë në luftën e Kosovës, Goxhaj është përgjigjur: “Nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftën e Kosovës.”

Rama për Dritan Goxhajn:

Po mos bre mos ja kajni nanën krejt, çfarë komandant i leshit more”… Këto ishin fjalët e një burri me disa të vrarë në familje, që i revoltuar me hosanatë e mbrojtësve të këtij tipit, më çoi dokumentin bashkëngjitur sot në sabah.

Ndërsa këto janë fjalët e mia: Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, do ndihet shumë i turpëruar kur e vërteta të dalë në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale të shpërndahet.

Rama nxorri letrën e UÇK, del shkresa tjetër: Dritan Goxhaj
dokumenti i publikuar nga kryeministri edi rama

Dokumenti i mësipërm është i firmosur nga një prej ish drejtuesve të UÇK, Xheladin Gashi i njohur si komandant Plaku. Xheladin Gashi, ishte njëri nga themeluesit e celulave të para të UÇK-së, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm që nga themelimi i UÇK-së. Komandant Plaku ka vdekur në vitin 2005 ku në atë kohë ka qenë në krye të Shoqatës “Miqtë e TMK-së”.

Publikimi i këtij dokumenti ka nxitur një debat të gjerë në opinionin publik, politik dhe mediatik, ndërsa reagimet nga figura të ndryshme vijojnë...

Së fundmi, është publikuar edhe një tjetër dokument, i cili, rrëzon pretendimet e kryeministrit Rama lidhur me rolin e Goxhajt gjatë luftës në Kosovë. Në materialin e publikuar thuhet se Goxhaj ka mbajtur detyrën e komandantit të një batalioni gjatë periudhës së konfliktit, duke u paraqitur si dëshmi e përfshirjes së tij aktive në luftën e Kosovës.

Rama nxorri letrën e UÇK, del shkresa tjetër: Dritan Goxhaj
dokumenti tjeter qe tregon goxhajn ne radhet e UCK

Megjithatë, klima e debatit mbetet e ngarkuar, ndërsa pritet të shihet nëse palët do të sjellin reagime të mëtejshme apo dokumentacion shtesë për të sqaruar plotësisht pretendimet dhe kundërpretendimet e ngritura./ZËRI

Poll

MOS HUMB