TIRANE- Dy ditë pasi deklaroi tërheqjen nga Partia Socialiste dhe rreshtimin si deputete e pavarur në Parlament, "Neomalësorja" Marjana Koçeku ka bërë sërish një reagim ku sfidon Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama. Në një reagim në rrjetet sociale, Koçeku deklaron se nuk do e dorëzojë mandatin e deputetes sic ia kërkojnë kritikët, dhe thotë se nëse PS është e bindur për 83 mandatet që ka, atëherë le ta shpërndajë Parlamentin dhe të hyjë në zgjedhje të parakohshme.
Reagimi i plotë:
Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet. Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka. Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë. Para se të vij, ndoshta iu marr leje malësorëve të mi me e folë gjuhën standarde.
2 ditë më parë, Koçeku njoftoi papritur largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke deklaruar se do të jetë deputete e pavarur. Ajo arsyetoi se idealet dhe vlerat e saj, janë ato që i ka pasur para se të bashkohej me një parti politike dhe që i diktojnë edhe kufijtë, duke lënë të kuptohet një përplasje me liderin e PS, Edi Rama. Marjana Koçeku ishte një ndër emrat risi që PS solli në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Ajo u zgjodh automatikisht deputete, pasi udhëhiqte listën e mbyllur të socialistëve në qarkun e Shkodrës. Pas largimit, ajo ka njoftuar mbështetjen për protestën e Flamingove, një lëvizje qytetare që kërkon largimin e klasës aktuale politike./ZËRI