
TIRANË-Kryeministri Edi Rama komentoi sot nënshkrimin e marrëveshjes mes “TEDA Tiranë”, Zona e Lirë Ekonomike e Bashkisë së Tiranës, dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”. Në ceremoninë e organizuar me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Rama e cilësoi këtë si “një investim të rëndësishëm për teknologjinë digjitale”.
Rama theksoi se kjo marrëveshje bëhet edhe në kuadër të prioriteteve dhe qëllimit të Shqipërisë për të realizuar sa më shpejt procesin e negociatave me BE-në, nëpërmjet Inteligjencës Artificiale, që do ndihmojë në adaptimin dhe realizimin e praktikave europiane në ligjet dhe institucionet shqiptare.
Edi Rama: Është një marrëveshje strategjike për Tiranën, e cila e ka zanafillën disa ditë më parë në takimin prezantues me kompaninë gjatë një vizite që ne bëmë në Izrael. Fakti që kompania vjen nga Izraeli është një arsye më shumë për të qenë të kënaqur që mikpresim këtë marrëveshje që të firmoset këtu. Bëhet fjalë për dhjetëra e dhjetëra miliona euro për të krijuar një bazë të dhënash, një bankë të dhënash digjitale e cila do të jetë në harkun e 18 muajve pas marrjes së lejes së zhvillimit baza më e madhe e të dhënave digjitale të rajonit tonë dhe do të ofrojë një platformë shumë tërheqëse për kompani të mëdha në fushën e teknologjisë digjitale dhe përkatësisht në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale, përtej hapësirave të zhvillimit në funksion të industrisë dhe në funksion të administrimit tërësor të organizmit të shtetit, ky investim do të krijojë mundësi të jashtëzakonshme për të gjithë vajzat dhe djemtë e këtij vendi, qofshin ata që jetojnë këtu e qofshi nata që jetojnë jashtë, për të pasur një punë të shumë mirë paguar në Tiranë. Një punë të shumë mirë paguar sepse filozofia e kompanisë dhe filozofia në tërësi e kompanive që zhvillojnë këto investime dhe zhvillojnë teknologjinë digjitale nuk është gjëkundi e lidhur me koston e krahut të punës, përkundrazi, është e lidhur me cilësinë e krahut të punës dhe në këtë aspekt, pagat nuk bëjnë asnjë dallim, përkundrazi, nuk është çështja sa do të paguhet forca e punës, çështja është sa cilësore do të jetë forca e punës dhe ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë të rejat dhe të rinjtë që janë të investuar në dije në fushën e teknologjisë.