TIRANË-Në Pallatin e Brigadave po mbahet mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar. I pari ka marrë fjalën kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili ka bërë një përmbledhje për punën e Kuvendit gjatë këtij sesioni parlamentar. Peleshi deklaron se janë miratuar 131 ligje dhe janë materializuar reformat më të rëndësishme.
Kryetari i Kuvendit bëri të ditur se janë miratuar me konsensus ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, duke sjellë modernizimin e procedurave parlamentare dhe rikonfigurimin e komisioneve të përhershme. Gjithashtu, sipas tij, janë ndërmarrë reforma në fusha të rëndësishme ligjore, përfshirë Kodin Penal dhe Kodin Civil, ndërsa janë përmirësuar kuadret ligjore për konfliktin e interesit dhe lobimin; komisionet hetimore dhe organet e drejtësisë; statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; pronësinë intelektuale; veprimtarinë financiare dhe mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin rural.
Ndër të tjera, Peleshi deklaroi se Kuvendi do të përfshijë përdorimin e inteligjencës artificiale për transkriptimin e seancave dhe përforcimin e sigurisë kibernetike.
Niko Peleshi: Janë miratuar 131 ligje, 40 ligje më shumë. Kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme në kuadrin civil dhe penal. Janë reforma që ndërtojnë reformat e Shqipërisë në dekadën e ardhshme. Kjo është legjislatura e integrimit europian. Asnjëherë nuk ka qenë puna e Kuvendit, kaq e lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE. Ky është një sukses kombëtar. Funksioni mbikëqyrës është një nga funksionet kyçe të Kuvendit. Ne vendosëm që ta ndryshojmë këtë qasje. Pas ndryshimeve të miratuara me konsensus në rregulloren e Kuvendit, është rritur mbikëqyrja parlamentare. Një tjetër zhvillim me rëndësi është miratimi i kalendarit vjetor parlamentar. Ky është një ndryshim në kulturën dhe funksionimin e Kuvendit. Gjatë kësaj periudhe kemi zhvilluar një aktivitet intensiv me PE dhe parlamentet europiane, me qëllim të vetëm anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Kuvendi ka qenë një ambasador i rëndësishëm i Shqipërisë, krahas objektivit për anëtarësimin në BE. Kuvendi është përfshirë në një ndryshim digjital. Sistemi me inteligjencë artificiale, ka hyrë prej disa muajsh në funksion. Aktualisht të gjitha seancat plenare transmetohet dhe transkriptohen me titra në YouTube. Pas sulmit kibernetike të marsit kemi lidhur kontratë për monitorimin. Janë ndërmarrë disa nisma strategjike për modernizimin e sistemit.