
TIRANË- Që nga koha kur ishte president i Republikës së Shqipërisë e më tej me rikthimin në politikën aktive, Ilir Meta e ka krahasuar veten me shumë personazhë të njohur të historisë. Qofshin këta shqiptarë apo të huaj. Sot, në letrën e parë publike që nga momenti i arrestimit një javë më parë, Meta shkruan se u arrestua njëjtë siç u rrëmbye politikani italian, Aldo Moro.
“A nuk e rrëmbyen edhe Aldo Moron, brigadat e kuqe me uniformë policie do t’i pyesja të gjithë ata pseudoanalistë, që janë të shqetësuar nga kundërshtimi im ndaj këtij akti kriminal dhe mafioz, pa asnjë dokument juridik, pa etikë dhe duke përdorur një forcë kafshërore, që vjen nga instiktet shtazore të atij që i urdhëron,”-shkruan Meta në letrën e tij.
Por kush është Aldo Moro? ZËRI ka hulumtuar disa profile të shkëputura nga mediat italiane, të cilat portretizojnë më zë miri atë që ka qenë një nga kryeministrat më jetëgjatë të Italisë. Për "vendasit", pra italianët, Aldo Moro është konsideruar gjithmonë një politikan i qetë. Aldo Moro ishte një anëtar i shquar i Demokracisë Kristiane (DC) dhe krahut të saj të qendrës së majtë. Ai shërbeu si kryeministër i Italisë për 5 mandate nga dhjetori 1963 deri në qershor 1968 dhe nga nëntori 1974 deri në korrik 1976. Përveç postit të kryeministrit, mbajti edhe atë të kryediplomatit, por edhe të ministrit të Drejtësisë dhe më vonë të Arsimit Publik. Më 16 mars 1978, ai u rrëmbye nga grupi i ekstremit të majtë, të njohur për publikun si "Brigada e Kuqe" dhe u vra pas 55 ditësh në robëri.

Moro u rrëmbye ndërsa po shkonte për në një takim të nivelit të lartë. Ai planifikoi të jepte bekimin e tij për një qeveri të re koalicioni, në të cilën kristiandemokratët dominues do të mbështeteshin në mbështetjen komuniste për herë të parë. Brigadat e Kuqe kërkonin lirimin e 13 të burgosurve shokë të tyre në këmbim të liderit të krishterë demokrat. Por pas 55 ditësh në robëri, rrëmbyesit e Moro arritën në përfundimin se autoritetet as nuk do të negocionin me ta, as nuk do të lironin anëtarët e burgosur të Brigadës së Kuqe në këmbim, dhe ai u ekzekutua.
*Brigadat e Kuqe u përpoqën të krijonin një shtet revolucionar përmes luftës së armatosur dhe të hiqnin Italinë nga Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Organizata arriti famë në vitet 1970 dhe fillim të viteve 1980 me veprimet e tyre të dhunshme të sabotimit, grabitjeve të bankave, rrëmbimeve dhe vrasjeve. Sipas Qendrës për Siguri dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Brigade Rosse ishte një grup terrorist “i përhapur gjerësisht” në Itali.
Në letrën e tij sot, Meta e nisi "fjalimin" duke shprehur rezerva për mënyrën sesi ishte arrestuar, e më pas përmendi politikanin italian...
Megjithatë Meta nuk po mbahet peng, përkundrazi është nën një masë sigurie, e cila mund të ndryshojë teksa dosja e tij është ende nën hetim nga SPAK. Por gjithsesi kjo nuk është hera e parë që Meta e krahason veten me personazhe që kanë pasur një fund...disi fatal dhe kanë lënë shenjë në histori. Më herët ka përmendur Salvator Allenden.
Kur ende ishte president, Meta tha se ishte gati të dorëzonte mandatin e të parit të shtetit vetëm që të zgjidhte krizën politikë që kishte "mbërthyer vendin". Në 2019 ishte pikërisht koha kur opozita e bashkuar kishte djegur mandatet dhe kishte vendosur që të mos merrte pjesë në zgjedhjet lokale.
“Kriza zgjidhet me dialog dhe metoda serioze. Jam gati të dorëzoj mandatin e Presidentit dhe të sakrifikoj jetën time si Salvador Allende. Sakrifikoj që të mos instalohet një juntë ushtarake që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”.
Kush është Salvador Allende?
Salvador Allende ishte presidenti i Kilit nga viti 1970 deri në vitin 1973, ndërsa kishte 40 vite që ishte pjesë e politikës së vendit. Në fakt, sa i përket vdekjes së tij ka disa teza. Thuhet se Allende është viktimë e një grushti shteti nga Augusto Pinocheti të sponsorizuar nga CIA e Shteteve të Bashkuara, por në vitin 2012 një gjykate kiliane ka konfirmuar se presidenti Salvador Allende kreu vetëvrasje në vitin 1973, ndërsa trupat ushtarake sulmuan pallatin presidencial. Pas eliminimit të Allendes, ushtria e gjeneralit Augusto Pinochet nuk pranoi të kthente autoritetin në qeverinë civile. Si rezultat Kili u sundua nga një diktaturë ushtarake që ishte në pushtet nga 1973 deri 1990, duke i dhënë fund pothuajse 41 viteve të pushtetit demokratik kilian. Junta ushtarake shkriu Kongresin e Kilit dhe filloi një përndjekje të organizuar të mijëra mbështetësve të Allende.
3 vite më vonë, kur Meta ishte kthyer në krye të Partisë së Lirisë, u pyet lidhur me deklaratën e tij pasi ishte shprehur publikisht se do të sakrifikohej si Salvador Allende për të marrë Ramën me vete.
“Ilir Meta i ka mbajtur të gjitha premtimet e tij. Nëse unë do isha Alende, Rama s’do ishte dot Pinoçet. Unë e kam mbajtur premtimin dhe deri në 24 korrik aty ka qenë një kështjellë e paprekshme e Kushtetutës. Janë harxhuar qindra miliona euro për presion ndaj Metës, edhe në Gjykatë Kushtetuese, u falsifikua edhe firma e kryetarit të Kuvendit dhe Ilir Meta në 24 korrik e la detyrën, ju përshëndeti me shqiponjën dhe në 25 korrik filloi fluturimin, dhe ju e dini që shqiponjat fluturojnë lart,”- tha Meta.
Përveç firgurave të huaja, Meta ka "gjetur veten" shumë herë edhe tek heronjtë më lokalë. Ndër ta mund të përmendim Vojo Kushin, Vasil Laçit, Mic Sokolin, Mujo Ulqinakun dhe shumë e shumë të tjerë. Madje, ka raportimet se në qelinë e tij tek "313", Meta ka thënë disa herë është pasardhës (jo për nga linja e gjakut por për nga linja e mendimit) e Vasil Laçit./ZËRI