
TIRANË- Arkitekti dhe ish-zëvendësministri i Zhvillimit Urban, Gjon Radovani, ka reaguar në lidhje me lajmin se nga telefoni i tij celular, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbuluar skemën e rikonstruksionit të 4 godinave të komisariateve në vend. Në një deklaratë zyrtare, Radovani shpjegon se kompania e tij ka marrë pjesë në garë për rikonstruksionin e komisariateve në Shqipëri dhe ka fituar projektin për Vlorën dhe Rrëshenin. Por shton se punimet janë kryer dhe taksat janë paguar, por madje shton se Ministria e Brendshme ende nuk ka bërë pagesat për këto shërbime. Po sipas tij, Rodovani shton se ai dhe disa kolegë kanë kontaktuar herë pas here funksionarë të Ministrisë për të kërkuar pagesat e munguara, por nuk kanë marrë ende asnjë përgjigje.
“Edhe sot, fatura për punën e kryer nuk është likuiduar nga Ministria e Brendshme, dhe dy kompanitë që morën pjesë në bashkimin e operatorëve ekonomik po përballen me rrezikun e falimentimit. Ata kanë paguar taksat sikur të kishin marrë paratë për faturën, por nuk kanë marrë asgjë,”- shprehet Radovani.
DEKLARATA E PLOTË:
Duke marrë shkak nga informacione të mediave shqiptare të ditës së sotme në të cilat përmëndet edhe emri im dhe duke konstatuar se informacionet e dhëna për publikun janë ose pjesërisht të sakta ose të pasakta deklaroj si më poshtë: 1. Në vitin 2019 unë, ark. Gjon Radovani kam marrë pjesë në një KONKURS PROJEKTIMI të organizuar nga Ministria e Brëndëshme me temë: "Studim projektimi për disa projekte tip, objekte të Policisë së Shtetit 2. Pjesëmarrja në konkurs është bërë nëpërmjet bashkimit të operatorëve ekonomik "Derby-E" dhe "APE.shpk", kjo e fundit në pronësinë time. 3. Unë si arkitekt i pavarur kam bërë një kontratë bashkpunimi me bashkimin e operatorëve ekonomik në bazë të së cilës unë do të zhvilloja projekt idenë dhe normativat e projektimit të komisariateve, ndërsa dy shoqëritë do të zhvillonin projektet e zbatimit nën mbikqyrjen time në rast nevoje, në rast lidhjeje kontrate. 4. Bashkimi i operatorëve ekonomik "Derby-E" dhe "APE.shpk është shpallur fitues i konkursit të projektimit. 5. Në bazë të termave të referencës së konkursit faza e konkursit të projektimit ka qënë pa rimbursim ekonomik. 6. Bashkimi i operatorëve ekonomik në bazë të termave të referencës së konkursit ka lidhur kontratë bashkpunimi për projektimin ekzekutiv të dy reparteve të Policisë së Shtetit, atë të Vlorës dhe atë të Rrëshenit. 7. Bashkimi i operatorëve ekonomik ka dorëzuar projektin e zbatimit pranë MB dhe sipas kontratës ka lëshuar faturën tatimore. 8. Bashkimi i operatorëve ekonomik ka paguar tatimin mbi vlerën e shtuar për faturën e lëshuar. 9. Edhe sot e kësaj dite fatura për punën e bërë nuk është likuiduar nga MB dhe dy shoqëritë e bashkimit të operatorëve ekonomik janë në limitet e falimentit, sepse përvec që nuk janë paguar për punën e bërë, kanë paguar edhe taksat sikur të kishin arkëtuar shumën e faturës. Në këto kushte unë dhe kolegë të tjerë të përfshirë në projekt me të drejtë kemi kontaktuar kohë pas kohe funksionarët e MB për të kërkuar të drejtën tonë të munguar. Pas një kalvari prej tre vitesh të gjendur para një padrejtësie për ne tashmë të pazgjidhshme i kemi kaluar cështjen një avokati për të marrë rrugën e mundshme të një procesi civil kundër debitorit. Për sa më sipër posedoj të gjithë dokumentat që faktojnë se kjo është e vërteta dhe vetëm e vërteta e kësaj çështje.
Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca është marrë i pandehur për veprën penale "shkelja e barazisë në tendera", për të cilën nëse shpallet e fajshëm, dënohet me burgim gjer në 3 vjet. Hetimet e SPAK janë fokusuar në procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në kohën kur Ndreca ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.
"Më dt.25.10.2024, të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përmes avokatit të tij, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal. Më shumë detaje do të vijojnë në një moment të dytë,"- njoftoi SPAK.
Por përveç tij, akuza u është komunikuar edhe disa zyrtarëve të tjerë si dhe anëtar të komisionit të vlerësimit të ofertave. Megjithatë emrat e tyre dhe më shumë detaje nga dosja pritet të mësohen pasi SPAK të bëjë njoftimin zyrtar./ZËRI