
TIRANË- Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar në parim projektbuxhetin e vitit 2025. Miratimi në mbledhjen e sotme është bërë vetëm me votat e maxhorancës, ndërsa opozita u përfaqësua në Komision vetëm me Jorida Tabakun dhe Edmond Spahon. Votat kundër të këtyre deputetëve, nuk mjaftuan për të ndaluar kalimin e pr.buxhetit.
Për vitin që vjen, në arkën e shtetit për vitin e ardhshëm projektohet se do të arkëtohen 7.5 miliardë euro, por shpenzimet llogariten se do të jenë në 8.2 miliardë euro. Objektivi është që niveli i borxhit të arrijë në 55.8% të prodhimit të brendshëm bruto. Nga këto, investimet publike parashikohen të jenë 1.6 miliardë euro ndërsa pjesa tjetër janë shpenzime korrente, pra shpenzime të tilla si paga, pensione apo interesa borxhi. Ndërsa rritja ekonomike për vitin e ardhshëm parashikohet të arrijë në 4%./ZËRI