Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku u prezantua nisma që prek kodin e procedurës penale për mbrojtje të 7 institucioneve nga pezullimi i detyrës, tha se mandati i Belinda Ballukut do të trajtohet me përgjegjësi nga shumica qeverisëse.
Kryeministri Edi Rama sqaroi se ndryshimi i nenit do të votohet në Kuvend, pasi ky i fundit të jetë shprehur për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, masë e kërkuar nga SPAK. Mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për çështjen e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe hapjen e rrugës për arrestimin e saj, pritet të mblidhet këtë javë.
Edi Rama: Duke e mbyllur dua të them që nisma thjesht dhe vetëm adreson një…juristët e quajnë boshllëk, unë them një problem që nuk duhet të shfaqet më. Nuk duhet ti shkojë në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjykatësit të marrë peng një funksion kushtetues. Ndërsa rasti konkret është një proces në Kuvendin e Shqipërisë dhe do trajtohet me përgjegjësinë që ne kemi si shumicë qeverisëse. Kush i lidh këto të dyja edhe në aspektin kohor, nëse nuk gaboj në llogarinë e kohës, parlamenti do të shprehet më para për imunitetin dhe më pas do të kojë në votë ky ndryshim. Kështu që nuk ka lidhje me rastin konkret.
Në nenin që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit apo kryebashkiakut do të shtohen edhe Presidenti, Kryeministri, zv.kryeministri, ministrat, Avokati i Popullit, Kreu i KLSH-së dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Neni 242-Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.
Ndryshimi i nenit 242
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, zv.kryeministri, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”.