Politikë

Nënshkruhet marrëveshja, SHBA i jep Shqipërisë 302 mln $ për mbrojtjen

Kredia FMF do të përdoret për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë

F.I

Nënshkruhet marrëveshja, SHBA i jep Shqipërisë 302 mln $

TIRANË-Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar zyrtarisht ratifikimin dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje huaje prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë, në kuadër të programit Foreign Military Financing (FMF). Marrëveshja do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur Angazhimin e Mbrojtjes së Hagës, që parashikon rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.

Kredia FMF do të përdoret për modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, përmes blerjes së kapaciteteve kryesore me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, si dhe për forcimin e aftësive mbrojtëse të Evropës.

"Sot, Shtetet e Bashkuara janë krenare të njoftojnë ratifikimin dhe nënshkrimin nga Shqipëria të një huaje të re prej 302 milionë dollarësh në kuadër të Financimit Ushtarak të Huaj (FMF), e cila do të mbështesë përparimin e Shqipërisë drejt përmbushjes së angazhimit të Mbrojtjes të Hagës, që parashikon shpenzimin e 5% të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2035. Huaja FMF do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë duke mbështetur blerjen e kapaciteteve kryesore me origjinë amerikane dhe do të forcojë aftësinë e Evropës për të udhëhequr vetë në fushën e mbrojtjes. Si aleat i NATO-s, Shqipëria është rreshtuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, përfshirë edhe si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Trump”, thuhet në njoftimin e DASH.

Lidhur me marrëveshjen e huas ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili e cilësoi si një mbështetje strategjike nga SHBA-të dhe një hap të rëndësishëm për forcimin e mbrojtjes shqiptare. Nufi shprehet se mbështetja do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës.

Departamenti i Shtetit njofton zyrtarisht ratifikimin e Marrëveshjes së Huasë prej 302 milionë dollarë në Kuadër të Programit Foreign Military Financing (FMF). Votë besimi strategjike e SHBA-së ndaj Shqipërisë dhe një hap historik në modernizimin e mbrojtjes shqiptare. Mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës për partneritetin e palëkundur strategjik dhe mbështetjen e vazhdueshme në ndërtimin e një mbrojtjeje më të fortë për Shqipërinë, rajonin e më gjerë. Kjo mbështetje do të përshpejtojë modernizimin e kapaciteteve tona ushtarake, do të rrisë gatishmërinë operacionale dhe do të forcojë kontributin e Shqipërisë për sigurinë kolektive të Aleancës”, shkruan Nufi.

Në seancën e 27 korrikut, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 74 vota pro projektligjin e huasë prej 302 milionë dollarë me SHBA-në. Diskutimet lidhur me marrëveshjen u zhvilluan në një seancë me dyer të mbyllura, pasi mazhoranca argumentoi se dokumenti përmban informacion të klasifikuar, ndërsa Partia Demokratike bojkotoi seancën./ZËRI

Poll

MOS HUMB