Politikë

'Një grup delenxhinjsh'! Protesta në Vlorë, Rama: 200 mijë $ projekt, pretendim pervers se po shkatërrohet Muzeu Labëria

Rama shprehet se një grup personash të drejtuar sipas tij nga Bujar Leskaj, kanë sulmuar kantierin duke pretenduar se po shkatërrohej Muzeu Labëria, ose Muzeu Etnografik.

F.I
'Një grup delenxhinjsh'! Protesta në Vlorë, Rama: 200
Edi Rama

VLORË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së zhvilluar në Vlorë, ku qytetarët u përplasën me efektivët e Policisë, teksa zhvillonin tubimin kundër ndërtimit të Muzeut Hebraik Shqiptar në Qendrën Historike, pranë godinës ku në vitin 1908 u ngrit Klubi Patriotik “Labëria”. Rama me anë të një postimi në platformën X, shprehet se një grup personash të drejtuar sipas tij nga Bujar Leskaj, kanë sulmuar kantierin duke pretenduar se po shkatërrohej Muzeu Labëria, ose Muzeu Etnografik.

Kreu i qeverisë e cilësoi pretendimin e qytetarëve, si “pervers dhe shpifës”, ndërsa thekson se projekti për të cilin janë akorduar 200 mijë dollarë, synon të ruajë kujtesën historike të Vlorës dhe rolin e qytetit në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Reagimi i Edi Ramës:

Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko pijanikun kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës - një gur themeli i kujtesës historike të qytetit të Pavarësisë e të lavdisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore - me pretendimin pervers dhe shpifarak se medemek po u shkatërroka Muzeu Labëria ose ndryshe Muzeu Etnografik???? Çeta e Lesko Pijanikut e ka zakon këtë ritual sulmesh mbi kantieret e transformimit epokal të Vlorës, por populli vlonjat duhet ta dijë që me kërkesën time, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mije USD per hartimin e projektit të Rilindjes së Muzeut Labëria, një karakatinë e degraduar totalisht që do të kthehet krahas Muzeut Hebraik në një tjetër derë të hapur krenarie të Vlorës patriotike e turistike. Dhe Lesko Pijaniku do vrapojë tek kantieret e radhës, njësoj siç vrapon përnatë pas kecave e pulave që shoqërojnë rrëketë e rakisë në gurmazin e pangopur të tij.

Protestuesit kundërshtojnë kërkojnë ndalimin e projektit, pasi pretendojnë se ndërtimi po bëhet në godinën e Klubit Patriotik “Labëria”, të cilin e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të historisë dhe identitetit të qytetit. Godina e Klubit “Labëria”, sot Muzeu Etnografik, është monument kulture që prej vitit 1963 dhe lidhet drejtpërdrejt me veprimtarinë patriotike që i parapriu Pavarësisë. Në vendin ku po zhvillohen aktualisht punimet, qytetarët propozojnë ngritjen e një muzeu që duhet t’i kushtohet historisë, kulturës dhe figurave të rëndësishme të kombit shqiptar.

Poll

MOS HUMB