
TIRANË- Ish-deputetja demokrate Rudina Hajdari ka treguar arsyet se përse nuk kandidoi në listat e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit. Hajdari është shprehur se nuk kandidoi pasi kryedemokrati Sali Berisha nuk është tërhequr për t’i hapur rrugë një tjetër kandidature për kryeministër.
Hajdaraj u shpreh se e mori vendimin për t’u tërhequr pasi kërkesa e saj nuk u mor parasysh. Më tej, ajo shtoi se pavarësisht tërheqjes së saj nga lista e PD, do të vazhdoj të jap mbështesë demokratët.
“Doja thjesht t’u përgjigjesha demokratëve që më kanë shkruar për të pyetur pse emri im nuk figuron në listat e PD-së. Nuk kam kërkuar të jem pjesë e tyre këtë herë, sepse e kam shprehur qartë në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar, ku mora pjesë, se për të fituar, PD-ja duhet të zgjedhë një ekip të ri, të pakonsumuar dhe të papërlyer për korrupsion, që të krijojë një kontrast të fortë me qeverinë e Edi Ramës.
Gjithashtu në atë mbledhej kam theksuar se kryetari aktual duhet të bënte një hap pas për t’i hapur rrugë një kandidature tjetër për kryeministër. Meqenëse kjo nuk u mor parasysh, vendosa të mos kërkoj të jem pjesë e kësaj liste.
Gjithsesi, u uroj fitore kolegëve dhe shpresoj që të arrijnë rezultatin më të mirë të mundshëm. Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim dhe të mbështes Partinë Demokratike dhe demokratët, pavarësisht se nuk bie dakord me disa vendime”, shprehet ajo.
Partitë politike kanë dorëzuar tashmë listat e hapura dhe të mbyllura për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 11 Maj. Sa i përket Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës nga 49 kandidatë mes tyre 12 emra janë rezervuar për në listën e mbyllur dhe 37 në listën e hapur. Nga ana tjetër 13 deputetë të Partisë Demokratike janë në listën e hapur për zgjedhjet e "11 majit dhe 19 demokratë në listat e mbyllura. Lista u dorëzua edhe nga koalicioni Euroatlantik I Lulzim Bashës dhe koalicioni “Nisma Shqipëria” drejtuar nga Adriatik Lapaj. Sa i përket PSD Vetë Tom Doshi ka zgjedhur që të garojë për të marrë mandatin e tij në qarkun e Shkodrës. Nga ‘Partia Mundësia’, Agron Shehaj ka vendosur të kandidojë në një nga qarqet më të rëndësishme, Tiranën./ZËRI