Politikë

Ogerta Manastirliu ‘hap zemrën’: Nga fëmijëria, dashuria, familja, e deri tek kandidimi i saj për Bashkinë e Tiranës

Kandidatja për Bashkinë e Tiranës nga radhët e Partisë Socialiste foli jo vetëm për jetën personale dhe profesionale, por edhe për karrierën politike dhe “ethet” e kandidimit për drejtimin e bashkisë më të rëndësishme në vend.

l.k
Ogerta Manastirliu ‘hap zemrën’: Nga fëmijëria,
Ogerta Manastirliu në podcastin "Flasim"

TIRANË- Ogerta Manastirliu ishte e ftuara e parë në sezonin e ri të podcastit “Flasim” me kryeministrin Edi Rama. Në një bisedë të gjatë dhe të thellë, kandidatja për Bashkinë e Tiranës nga radhët e Partisë Socialiste foli jo vetëm për jetën personale dhe profesionale, por edhe për karrierën politike dhe “ethet” e kandidimit për drejtimin e bashkisë më të rëndësishme në vend.

Në rrëfimin e saj, Manastirliu tregoi se nuk e kishte menduar ndonjëherë se një ditë do të bëhej pjesë e politikës. Ajo u shpreh se ishte një telefonatë nga një shoqe e saj, ajo që e shtyu të bëhej pjesë e grupit të PS-së gjatë fushatës lokale për Tiranën, kur Edi Rama ishte kandidat për kryetar bashkie. Ndër të tjera, ish-ministrja e Arsimit u shpreh se kishte dëshiruar të studionte për drejtësi, por nuk arriti ta fitonte degën.

“Drejtësia ka qenë ëndrra ime. Nuk arrita ta fitoj, por gjyshja ime, që ka pasur një rol të rëndësishëm në jetën time, më thoshte gjithmonë: ‘Mos u hidhëro e hidhëruar, mos u gëzo e gëzuar’. Shkencat e natyrës më kanë tërhequr gjithmonë. Kimia ishte një tjetër pasion i fshehtë. E shihja si përbashkimin e dy elementëve – logjikës dhe imagjinatës. Më pas e përktheva si një metaforë për jetën, ku ekuilibri është thelbësor. Studimet për kimi më kanë ndihmuar shumë për zhvillimin e aftësive analitike dhe për të kuptuar rëndësinë e balancave. Fillimisht mendoja se do të punoja në një laborator shkencor, duke u marrë me cilësinë e ajrit, mjedisin, parfume ose barna.”- u shpreh ajo.

Ajo tregon më tej:“Më mori një shoqe në telefon dhe më ftoi të merrja pjesë në një riorganizim të PS-së për të përgatitur një pyetësor për zgjedhjet lokale dhe për të mbledhur opinionet e qytetarëve. Kur më tha PS, nuk m’u duk e panjohur – gjyshja ime ishte socialiste ‘24 karat’. Pranova. Më tha të takoheshim te Ministria e Kulturës. Kur shkova, ishte një furgon i vogël me mbishkrimin ‘Me Edi Ramën për Tiranën’. Ramën e njihja si ministër i Kulturës, dhe për moshën tonë ishte intrigues – ndryshe nga të tjerët, me një shpirt transformues, pak rebel. Aty nis një rrugëtim. Ishte një lloj zgjimi për mua, për të parë përtej qendrës së Tiranës. Me ju kemi shëtitur gjithë Tiranën dhe për herë të parë pashë çfarë ndodhte në rrethinat e saj – errësirë, zymtësi, por edhe shpresë që Tirana mund të bëhej ndryshe. Filloi t’i vinte ngjyra”.


Ajo foli gjithashtu për fëmijërinë e saj dhe lidhjen e fortë që ka me bashkëshortin prej 20 vitesh. Kandidatja e PS për Bashkinë e Tiranës tregoi se si kishte shkuar për të studiuar në Bari dhe si e mori vendimin për t’u kthyer në Shqipëri. Sipas saj, viti 1997 ishte një traumë për shoqërinë shqiptare.

“Në moshën 14-vjeçare shkova në Bari, ku ndoqa për një vit Liceun Klasik. Por kisha një ndjesi – ndoshta isha ende e vogël – një lidhje shumë të fortë me familjen dhe vendin. Dëgjoja nga telefoni paralel i dhomës kur halla fliste me prindërit e mi për pasigurinë në Shqipëri. M’u duk sikur kisha lënë pas një pjesë timen, dhe si adoleshente që isha, mendova se nuk mund ta lija familjen të humbiste atë pjesë nga unë dhe mbështetjen që mund t’iu jepja. Vendimi për t’u kthyer ishte i imi. Pas tre muajsh i thashë babait: ‘Do kthehem’. Ai më tha: ‘Bëj si të duash’. E mbylla atë vit, por u ktheva me ndjesinë se këtu kishte probleme, por edhe shumë arsye që duhej të isha pranë familjes. U ktheva tek “Sami Frashëri”. Ishte një periudhë shumë e vështirë. ‘97 për brezin tonë ishte një moment i rëndë në historinë e Shqipërisë dhe një traumë shoqërore që na ka shënjuar.”- u shpreh kandidatja.

Ajo foli si rrallëherë për dashurinë me bashkëshortin: “Me Ermalin jam dashuruar në gjimnaz. Kemi ndërtuar jetën tonë së bashku. I thamë ‘po’ njëri-tjetrit në vitin 2005, kur mbaruam shkollën – 20 vite më parë. Familjet tona e dinin, kanë qenë të hapura. Shkoja në shtëpinë e tij, nuk kishim pengesa. U bëra nënë po atë vit që u martuam. Vajza e dytë erdhi në vitin 2009. Çdo gjë ka kohën e vet. Marrja e vendimeve për të zgjeruar familjen kërkon përkushtim. Koha ime ka qenë e limituar për shkak të rrugëtimit tim profesional. Familja është forca ime më e madhe. Ermali është kolona ime- aty ku mbështetem dhe gjej qetësinë. Më ka lehtësuar shumë në përballimin e detyrimeve si nënë, dhe e komplimentojmë shpesh njëri-tjetrin.”

Manastirliu tregoi gjithashtu reagimin e familjarëve kur mësoi se do të kandidonte për Bashkinë e Tiranës: ‘Si ka mundësi që nuk të pyeti njeri?’” – tha ajo se e kishte pyetur njëra nga vajzat. Në përmbyllje, Manastirliu theksoi se kandidimi në Bashkinë e Tiranës, nën logon e PS-së, është një mision historik për të dhe se gëzon mbështetje të madhe nga kolegët, miqtë dhe familjarët.

Ogerta Manastirliu do të kandidojë në zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës që do të mbahen me 9 nëntor. Ajo do të jetë në garë përballë Arlind Qorit të Lëvizjes Bashkë, Florian Binaj si kandidat i pavarur dhe 2 kandidatë të vetofruar për opozitën, Ermal Hasimja dhe Florian Haçkaj./ZËRI

Poll

MOS HUMB