TIRANË- Politologu Ermal Hasimja, një nga figurat potenciale si kandidat i opozitës për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Tiranës, pranoi publikisht “ofertën” e Berishës dhe të grupit negociator.
Ai ishte i ftuar në “Euronews Albania”, ku iu drejtua drejtpërdrejt kryedemokratit Sali Berisha, duke e njoftuar publikisht se pranon të kandidojë sipas kritereve që kreu i PD-së përcaktoi këtë të shtunë.
“Më duket se pozicioni më logjik është që një opozitë e bashkuar të dalë me një kandidat të pavarur, i cili do të mbështetet nga një shumicë sa më e madhe e partive opozitare. Berisha ka kërkuar që edhe kandidatët e tjerë të shprehin dëshirat dhe ambiciet e tyre. Duke pasur këtë mundësi, unë po i drejtohem zotit Berisha dhe kryesisë së PD-së, si dhe forcave të tjera opozitare, duke ju paraqitur publikisht kandidaturën time për kreun e Bashkisë së Tiranës, me të njëjtat kritere që ai ka përcaktuar: kandidat i pavarur, pa logo specifike partie, i mbështetur nga shumica e opozitës. Prandaj, zoti Berisha mund ta quajë kandidaturën time të paraqitur dhe ta shqyrtojë,” -tha Hasimja.
Partia Demokratike dhe aleatët në opozitë kanë tashmë tre emra që kanë marrë dakordësinë e të gjithë aleatëve, të cilët janë: aktivistja Edlira Çepani, politologu Ermal Hasimja, si dhe Florian Haçkaj, përfaqësues i diasporës. Çepani dhe Haçkaj ende nuk kanë folur publikisht nëse do ta pranojnë apo jo “ofertën” e opozitës.
Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD-së ditën e sotme, Berisha deklaroi se opozita do të mbështesë një kandidat të pavarur në zgjedhjet e 9 nëntorit për Bashkinë e kryeqytetit, por edhe në pesë bashkitë e tjera. Deri më tani, PD nuk ka dalë me kandidatë për asnjërën prej bashkive, përfshirë edhe Tiranën. Nga ana tjetër, PS ka prezantuar më herët Ogerta Manastirliun për kryeqytetin. /ZËRI