
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka "përshëndetur" sot aksionin e nisur nga opozita në Kuvendin e Shqipërisë. Në takimin e tij të përnatshëm me demokratët që mblidhen poshtë ballkonit të tij, Berisha foli për djegien e karrigeve nga opozita në oborrin e Kuvendit. Në fjalën e tij, kryedemokrati tha se sot opozita nisi "luftën", por shtoi se ky është vetëm fillimi. Ndaj përveç deputetëve, u kërkoi edhe qytetarëve që t'i bashkohen aksionit që opozita ka nisur pas arrestimit të demokratit Ervin Salianji, i cili aktualisht po vuan dënimin me 1 vit burg në Fier.
"Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju, guximtareve dhe guximtarëve, qëndrestareve dhe qëndrestarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari. Një përshëndetje të zjarrtë deputetëve të Partisë Demokratike, që nisën sot në sallën e parlamentit të mafias dhe krimit, betejën e fitores, betejën e pandalshme, që i dha përgjigjen më të merituar Edi Ramës, këtij kryemafiozi të Shqipërisë dhe Europës, që burgosi deputetin Ervin Salianji, sepse ai denoncoi Geronin e vëllazërisë Xhafa, që fshihej dhe si kriminel, shpërndante drogë, helm në Shqipëri, në Itali dhe Europë. Sot deputetët e PD-së, nisën betejën, betejën e cila ndalet vetëm me fitoren e opozitës. Ajo betejë duhet të frymëzojë çdo demokrate, demokrat, çdo qytetare e qytetar të këtij vendi, për tu ngritur në një betejë në mosbindje civile më te gjitha mjetet e saj. Për shpëtimin e Shqipërisë nga krimit, mafia, vjedhja. Qeveri teknike, zgjedhje të lira. Rotacionin, fitoren e opozitës. Deputetët e opozitës sot u thanë kriminelëve me pushtet, Edi Ramës në parlament, në qeveri në prokurori dhe gjykata e kudo që janë, se është radha jonë dhe se forcë në botë nuk ka që të na ndalë ne pa realizuar qëllimet tona. U bëj thirrje shqiptarëve në katër anët e dheut, të angazhohen kudo që janë në këtë betejë, më e rëndësishmja e jetës së tyre, të nxjerrim Shqipërinë nga kthetrat e mafias shqiptaro-ndërkombëtare, e cila luftën e opozitës kundër korrupsionit e ndëshkoi me sanksione për korrupsionin. E cila luftën e opozitës kundër krimit dhe trafiqeve e ndëshkoi me burgosjen e deputetëve të saj. Çdo ditë që kalon, del në pah shëmtia e fytyrës së mafias që është vërsulur të rrënojë këtë komb, për 1001 arsye, për pushtetin e Edi Ramës, për pasurimin e Edi Ramës, për vjedhjet e Edi Ramës, për tradhëtitë e Edi Ramës. Ndaj dhe sot nisi beteja, radha është e jona, është radha e shqiptarëve, është radha e guximtarëve, është radha e atdhetarëve,"-tha Berisha në fjalën e tij.
Opozita ka nisur sot aksionin e paralajmëruar duke bojkotuar fillimisht Komisionet dhe më pas foltoren e Kuvendit. Deputetët e Partisë Demokratike në mbështetje të Salianjit krijuan kaos në Kuvend, ku në shenjë proteste nxorrën karriget jashtë dhe iu vendosën flakën. Si pasojë e trazirave në Kuvend, seanca e sotme zgjati vetëm 15 minuta. Nga deputetët e opozitës, i vetmi që u ndëshkua me përjashtim ishte sekretari i Përgjithsëm i PD-së, Flamur Noka, i cili shkuli mikrofonat në sallë./ZËRI