TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot ndaj protesta kundër projektit në Zvërnec. Rama ka publikuar disa prej pankartave të qytetarëve në llogarinë e tij në facebook, duke u shprehur me ironi se janë e vetmja gjë që i pëlqen nga tubimi.
Me ironi, kreu i qeverisë përgëzon autorët e pankartave për kreativitetin, ndërsa shprehet se i ngjallin keqardhje fjalimet e qytetarëve në protestë. Në fund të shkrimit Rama thekson sërish se janë krijuar rreziqe imagjinare nga një projekt që do transformojë më tej Shqipërinë.
Edi Rama: Rroftë mememania! Që të merremi vesh se mos krijohet bindja e gabuar që mua s’më pëlqen asgjë nga ky revolucioni imagjinar i flamingove. Aq sa më ngjallin keqardhje me përzierje rropullish fjalimet krra-krra-krra, aq më argëton kreativiteti i memeve, për të cilat sinqerisht u përcjell përgëzime e falenderime autorëve, ndërkohë që më vjen keq vërtetë, që disa të preferuara të tjera nuk i postoj këtu dot se janë shumë të nxehta dhe kot melazëm na krijohen keqkuptime të reja, a thua s’na mjaftojnë këto që kemi për rreziqet imagjinare nga një projekt që do transformojë më tej Shqipërinë.
Qytetarët marshuan një ditë më parë (7 qershor) nga sheshi ‘Skënderbej’, drejt Kryeministrisë, e më pas në rrugët e kryeqytetit, në ditën e tetë të protestave kundër ndërtimit në projekt. Mijëra qytetarë kërkuan sërish dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama. Protestuesit mbajtë fjalime duke parashtruar edhe njëherë 5 kërkesat e tyre: dorëheqjen e qeverisë, shfyqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketë së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimin për trashëgiminë kulturore shqiptare./ZËRI