TIRANË- Pano Soko ka njoftuar tërheqjen nga angazhimi i tij politik në partinë Nisma Thurrje. Dorëheqja e tij erdhi pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për t’i dhënë mandatin e deputetes Kleana Xhuvelit, kushërirës së Adriatik Lapajt.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Soko, ka njoftuar largimin e tij, duke e quajtur situatën e fundit të papranueshme dhe të turpshme. Në deklaratën e tij, ai thotë në një javë u zhë e gjithë iniciativa dhe puna e tyre disa vjeçare, teksa shton se mandati sot, i kaloi një personi që nuk e deshi e as luftoi për të.
Soko deklaron tërheqjen e tij nga çdo rol në këtë forcë politike, por sqaron se do vazhdojë të jetë aktiv në politikë.
Postimi i plotë i Pano Soko:
Ngjarjet e fundit që ndodhën, ishin një turpërim i pamerituar në sytë e gjithë atyre që na votuan dhe që me votën e tyre na ngarkuan përgjegjësinë e rëndë për të qënë zëri dhe fytyra e tyre në jetën politike e publike të vendit. Ngjarje kjo që personalisht besoj se do të jetë në kufijtë e të pamundurës për t'u rekuperuar, si në aspektin politiko-elektoral, por deri diku edhe në imazh publik.
Dhe ky turpërim kërkon përgjegjësi
Pavarësisht se personalisht u përpoqa me sa munda që çështja të merrte zgjidhje nga palët në konflikt, tentova me çdo formë e mënyrë të sillja racionalitet në një mjedis tejet të ngarkuar emocional, fatkeqësiaht nuk arrita dot.
Prandaj unë sot dua të përmbush përgjegjësinë për aq sa më takon përballë gjithë atyre që na besuan ndaj venndosa të tërhiqem nga çdo funksion dhe angazhim politik që kam në partinë Nisma Thurje.
Ne, në vetëm një javë, arritëm me sukses të bënim pluhur e hì gjithë atë punë shumëvjeçare për ngritjen e një alternative të re, jo vetëm me fytyra të reja, por edhe me një koncept të ri të të bërit politik, larg intrigave dhe sherreve banale për karrige, larg egove të sëmura dhe inateve personale që shndërrohen në kauza të forcës politike, larg meskinitetit fëminor që përcakton sjelljen politike, apo konfliktit antagonist siç rëndom kemi parë politikën të servirë në këto 35 vjet.
Në këtë javë ne treguam që nuk jemi shumë larg tyre.
Në vetëm një javë ne zhbëmë gjithë atë iniciativë fantastike, që ishte sfidimi i sistemit të listave të mbyllura dhe garimi me lista të hapura.
Sot mandatin e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet dhe Nismës Thurje si pjesë e koalicionit, e mori një person që as e donte, as nuk punoi për ta marrë, as e kishte ambicje, asgjë. Një person që me dëshirën e mirë për të ndihmuar, pranoi të hynte në listë fiktive dhe të luante rolin e saj si garante, por që sot e sheh veten me mandat.
Dhe kjo për mua është vijë e kuqe!
Ne iu premtuam njerëzve që në parlament do të çonim atë që ata vetë do të vendosnin me votën e tyre, do të çonim më të votuarit prej tyre.
Iu thamë që mos merakoseshin se e kishim të garantuar mekanizmin.Dhe këto i bërtitëm me zë të lartë dhe pa pushim në çdo tubim, takim apo studio TV.
Por doli që i gënjyem! As nuk çuam dikë që u votua nga ata dhe as mekanizmin s'e patëm të garantuar.
Dhe në optikën time kjo është pikë-thyerje politike. Pas kësaj pikë-thyerje, unë nuk i shoh dot më njerëzit në sy. Më vjen turp kur më shkruajnë apo më ndalojnë në rrugë. Nuk më lejon cipa në faqe t'i shoh, sepse menjëherë skuqet.
Sepse personalisht besoj që morali dhe ndershmëria janë dy tipare themelore që i kanë munguar politikës deri më sot dhe që ne do të duhej të sillnim.
65 mijë votues sot përfaqësohen nga një person që as e njohin e as i njeh. Dhe pse? Sepse ne harruam idealet, kauzat dhe çdo gjë dhe u fokusuam tek një copë mandati.
PSD e Tom Doshit aplikoi listën e hapur me sukses. Ne që e ngritëm si kauzë dhe e shpikëm si mekanizëm, ne dështuam.
Ky është një turp!
Nuk dua të zgjatem, pasi për shumë elementë rreth kësaj që ndodhi jam shprehur në daljet e mia publike këto ditë dhe nuk do të doja të bija në përsëritje pasi vazhdoj të kem të njëjtin qëndrim.
Personalisht do të vazhdoj të jem aktiv në jetën publike, duke kontribuar me aq sa mundem në ndërgjegjësimin publik rreth çështjeve ekonomike, apo ato të korrupsionit e abuzimeve, siç kam bërë deri më sot. Sepse politika, për mua, ka qënë gjithmonë dhe vetëm vokacion. As kam përfituar ndonjëherë diçka prej saj dhe as e kam parë ndonjëherë si mjet përfitimi. Ka qënë dhe mbetet vokacion që do të vazhdoj ta përmbush.
Por tashmë si qytetar aktiv.
Tërheqja e Panajot Sokos nga "Nisma Thurje" vjen pas zhvillimeve të fundit në koalicionin "Nisma Shqipëria Bëhet". Pas përplasjes disa ditore mes Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani për mandatin e vetëm të fituar nga ky koalicion, ishte Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ai që i dha fund "luftës". KQZ ia kaloi mandatin e deputetes, Kleana Xhuvelit.
Kujtomë se "Kriza" në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pasi daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni nuk pranoi të dorëhiqet dhe i shkroi KQZ që kërkon të marrë mandatin e deputetit në rast se atij i vjen radha, edhe pse pozicionohet i nënti në listën e mbyllur të koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet". Kjo solli edhe një përplasje në distancë mes Lapajt dhe Shabanit. Nga lista, Lapaj kërkon mandatin me pretendimin se mori në Tiranë 6500 vota, ndërsa Shabani 2 900 të tilla. Por duket se palët nuk kanë rënë dakord duke nisur një debat publik, i cili u mbyll sot në KQZ./ZËRI



