TIRANË- Politologu dhe analisti Endri Tafani ka komentuar përplasjen që ka vijuar prej ditësh, mes Adriatik Lapaj dhe Endrit Shabani, për mandatin e deptetit. Sipas Tafanit, pas përplasjes së tyre qëndron një çështje financimi që siç duket nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së tyre pas zgjedhjeve.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Tafani thotë se në mungesë të kësaj marrëveshje, "Shqipëria Bëhet" po kërkon që të nxjerrë jashtë nga loja politike "Nismën Thurje", pasi sipas ligji penalizon partitë që futen në "koalicione". Në zgjedhjet e 11 majit 2025, "Shqipëria Bëhet" është zyrtarisht partia që ka konkurruar pasi koalicionet nuk njihen.
Postimi i plotë i Endri Tafanit:
Nisma Thurrje ka marrë financime publike disa vjet rresht për rezultatin e saj në zgjedhjet e 2021 sepse Partitë politike që marrin mbi 0.5% të votave në rang kombëtar marrin financime publike nga buxheti i shtetit për 4.vite rresht deri në zgjedhjet e tjera të përgjithshme.
Në zgjedhjet e 2025 Nisma Thurrje nuk merr si më parë sepse Shqipëria Bëhet është zyrtarisht partia që ka konkurruar pasi koalicionet nuk njihen.
Kërkesa e Nismës Thurrje që Shqipëria Bëhet ti japë një ojese të fondeve që do marrë nga KQZ është e bazuar moralisht se kandidatët e Nismës Thurrje kanë marrë mbi 0.5% të votave ne rang kombëtar dhe nëse do konkurronin veçmas do merrnin prapë financime nga buxheti i shtetit dhe mund të vazhdonin aktivitetin politik.
Do ishte mirë që çështja e financimit pas zgjedhjeve të kishte qenë pjesë e marrëveshjes duke qenë se ligji penalizon partitë që futen në "koalicione" se vota e tyre i llogaritet partisë përfaqësuese në KQZ.
Fakti që kjo marrëveshje për financimet publike nuk është bërë dhe për më tepër as është pranuar dhe as nuk po diskutohet seriozisht e bën më tepër fajtor Shqipëria Bëhet.
Veprimet deritanishme tregojnë sikur Shqipëria Bëhet do që ta nxjerrë fare nga loja politike Nismën Thurrje, pavarsisht se prej votave të saj merr deputet në Tiranë.
Kjo sjellje është identike me mënyrën sesi partitë e vjetra e sidomos Rama e kane bere politikën deri tani.
Ndërkohë ditën e sotme, Komisioni Qendor i Zgjedhjeve (KQZ), i dha fund "luftës" disa ditore mes Lapajt dhe Shabanit, duke i dhënë Kleana Xhuvelit mandatin e deputetes.
Kujtomë se "Kriza" në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pasi daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni nuk pranoi të dorëhiqet dhe i shkroi KQZ që kërkon të marrë mandatin e deputetit në rast se atij i vjen radha, edhe pse pozicionohet i nënti në listën e mbyllur të koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet". Kjo solli edhe një përplasje në distancë mes Lapajt dhe Shabanit. Nga lista, Lapaj kërkon mandatin me pretendimin se mori në Tiranë 6500 vota, ndërsa Shabani 2 900 të tilla. Por duket se palët nuk kanë rënë dakord duke nisur një debat publik, i cili u mbyll sot në KQZ./ZËRI


