Politikë

'Projekte pilot me komunitetet që merren me turizëm', Rama: Do të krijojmë një fond për shoqatat që mbrojnë territorin

Shoqatat do të marrin përsipër angazhime konkrete, si sinjalizimi i problemeve në pyje, pastrimi i mbetjeve, parandalimi i ndërtimeve pa leje dhe prerjeve të paligjshme.

F.I
'Projekte pilot me komunitetet që merren me turizëm', Rama:
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama në podcastin e tij 'Flasim' ka prezantuar planet e qeverisë për krijimin e një partneriteti mes institucioneve shtetërore dhe komuniteteve lokale në zonat turistike, me fokus mbrojtjen e natyrës dhe territorit. Sipas tij, këto komunitete do të organizohen në shoqata dhe do të angazhohen në mënyrë konkrete për ruajtjen e mjedisit dhe identifikimin e problematikave në terren. 

Rama njoftoi se qeveria do të nisë disa prova me komunitetet lokale, të cilat do të organizohen në shoqata dhe do të marrin përsipër angazhime konkrete, si sinjalizimi i problemeve në pyje, pastrimi i mbetjeve, parandalimi i ndërtimeve pa leje dhe prerjeve të paligjshme.

Edi Rama: Ne do bëjmë disa prova që të ndërtojmë ca marrëveshje me komunitete të njerëzve që merren me turizëm në këto territore dhe të bëjmë partneritet mes ministrisë së mjedisit dhe një komuniteti që krijon një shoqatë, një këshill të përbashkët dhe që merr përsipër të bëjë disa gjëra më shumë. Secili ka punën e vet por së bashku në një territor të caktuar, dhe kujdesen për të duke lajmëruar në kohë kur ka një problem të pastrimit të pyllit që e bën më vulnerabël ndaj zjarrit, kur ka nevojë për pastrim të një sasie të caktuar mbetjesh, kur ka nevojë për të ndaluar zhvillime pa leje e prerje të paligjshme. Se në fund të ditës duhet kuptuar që në këto territore të veçanta është që produkti është pjesa më e vogël e ofertës së madhe turistike. Produkti është e madhja, dhe nëse produkti cënohet sado e bukur të jetë bujtina, prurjet ekonomike fillojnë cënohen sepse njerëzit largohen nga aty ku nuk ruhet ajo gjëja për të cilën vijnë. Ne kemi filluar të ftojmë komunitetit që kushdo të krijojë një shoqatë për mbrojtjen e territorit që merr përsipër, të lidhet me Ministrinë e Mjedisit. Do mundohemi të krijojmë një fond për ta mbështetur këtë iniciativë pa qëllim fitimi. 

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u ndal edhe te problematikat që lidhen me regjistrimin e pronave, duke theksuar se “Paketa e Maleve” mund të ndihmojë edhe qytetarët që përballen me probleme të tilla.

Poll

MOS HUMB