BRUKSEL- Komisioni Evropian ka dënuar dhunën gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera në Shqipëri. Në deklaratën e publikuar këtë të dielë, Komisioni Evropian dënon zjarrvënien e qëllimshme, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private.
Gjithashtu, KE thekson se nga ana tjetër, edhe reagimi i autoriteteve duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe proporcional. Në deklaratë, nënvizohet rëndësia e respektimit të lirive themelore, si liria e tubimit dhe e shprehjes.
"Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera në Shqipëri, duke përfshirë zjarrvënien me dashje, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe përgjigja ndaj saj duhet të mbetet brenda ligjit dhe proporcionale. Ata që janë përgjegjës duhet të mbahen përgjegjës nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, që duhen respektuar dhe ushtruar në mënyrë paqësore. Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për të protestuar do të mbrohet. Në një vend kandidat të përkushtuar fort ndaj procesit të anëtarësimit në BE dhe që po bën përparim të rëndësishëm në rrugën e tij drejt BE-së, ankesat duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore.", thuhet në deklaratë./ZËRI