TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka përsëritur thirrjen ndaj qytetarëve që kundërshtojnë projektet në Zvërnec dhe Sazan, duke i ftuar ata të njohin drejtpërdrejt faktet dhe dokumentacionin zyrtar.
"Ndaj bujrum, ejani t’i shikoni dhe dëgjoni faktet, të merrni provat dhe të ndiheni krenarë që institucionet tona e kanë përfaqësuar, qoftë me Sazanin apo me procesin e aplikimeve për zhvillimin e Zvërnecit", iu drejtua Rama qytetarëve që protestojnë.
Gjatë aktivitetit të 35-vjetorit të Partisë Socialiste në Tiranë, vetëm pak metra larg protestës, Rama deklaroi se do të ndante të njëjtin shqetësim me qytetarët nëse pretendimet që qarkullojnë do të ishin të vërteta, por theksoi se realiteti është ndryshe.
“Mbaj përgjegjësi për çdo fakt që them. Po të ishin të vërteta ato që ju kanë mbushur në mendje, do isha dhe unë po aq i neveritur sa më duket se janë disa prej jush. E vërteta është se po hetojmë këto vite një nga zhvillimet e rrjeteve sociale, kur vende të tjera kanë rënë në kurth nga metoda të provuara dhe të demaskuara manipulimi.
Kush është i interesuar për të mbrojtur interesin publik, për mjedisin, të ardhmen e shpendëve në zonën e Zvërnecit dhe Sazanit, i them se faktet që kemi në dispozicion duhet të jenë më se të mjaftueshme për të qetësuar shpirtin e kujtdo. Ndaj bujrum, ejani t’i shikoni dhe dëgjoni faktet, të merrni provat dhe të ndiheni krenarë që institucionet tona e kanë përfaqësuar, qoftë me Sazanin apo me procesin e aplikimeve për zhvillimin e Zvërnecit.
Ejani të shikoni që s’ka asnjë status për investitor strategjik.”, u shpreh Rama.