Politikë

Protestuestit kundër 'Besës', Rama: Sorrat e korbat e refuzuan, por...nuk negocioj me ju, kam kontratë me 800 mijë shqiptarë

Në reagimin e tij, Rama u është përgjigjur kritikave, duke sqaruar se mesazhi i tij nuk ishte drejtuar kundërshtarëve, por “mësimeve” që, sipas tij, ka marrë nga flamingot.

zh.ll
Protestuestit kundër 'Besës', Rama: Sorrat e korbat e
edi rama gjate prezantimit te 'beses' dhe pamje nga protesta

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish pas polemikave të krijuara nga deklaratat e tij për “Bulevardin e Flamingove” dhe dokumentin politik “Besa”, të prezantuar prej tij si një bazë për një marrëdhënie të re mes qeverisë dhe qytetarëve.

Përmes një reagimi në 'X', Rama u është përgjigjur kritikave, duke sqaruar se mesazhi i tij nuk ishte drejtuar kundërshtarëve, por “mësimeve” që, sipas tij, ka marrë nga flamingot. Ai tha se dokumenti “Besa” nuk ka lidhje me kritikët e tij dhe se kontrata politike që ai njeh është ajo me 800 mijë shqiptarë që e kanë votuar.

Reagimi i plotë:

Më vijnë në rrugë të ndryshme përmes ëhatsapit, nga miq a të panjohur, muhabete sorrash e korbash pas fjalës sime për Bulevardin e Flamingove. Një prej tyre, që e kam dëgjuar edhe me audion origjinale nga poshtë dritares së zyrës, do një koment:

Përsërisin që s’duan “dialog”, s’ka “negociata”, s’japin “besë” po duan vetëm dorëheqjen time! Keqkuptim i madh.

Asnjë prej tyre s’më ka dhënë votë, me asnjë prej tyre s’kam kontratë dhe për asnjë prej tyre e as për të tërë ata bashkë s’më ka shkuar asnjëherë ndërmend të prish kontratën me 800 mijë shqiptarë, ndër të cilët edhe plot flamingo!

Fjala ime ishte për mësimet që mora nga flamingot dhe i drejtohej atyre, jo puplave të zeza që mblidhen çdo natë në bulevard pas shtegtimit të flamingove.

Në atë fjalë sorrat e korbat ishin pjesë, sepse janë ana e errët e protestës, po jo se kanë pjesë në ato mësime apo në detyrimet e nxjerra prej atyre mësimeve.

Kështu që sorrat dhe korbat as mos lodhen hiç së refuzuari BESËN sepse BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta, as mos rreshtin së ardhuri poshtë penxheres time me kërkesën për dorëheqje deri në vitin 2029 po të duan! Sepse liria është e njëjtë edhe për ta dhe demokracia funksionon njësoj për të gjithë.

Ndërsa kontrata ime me shqiptarët nuk varet në asnjë pikë të vetme nga ata po është pronë e të gjithë atyre me të cilët e kam nënshkruar, si edhe gur themeli i jetës demokratike.

Në ditën e 56-të të protestave, aktivistët dhe qytetarët iu përgjigjën deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste prezantoi dokumentin politik “Besa”, që sipas tij synon të ndërtojë një marrëdhënie të re mes shtetit dhe qytetarëve.

Protestuesit e kundërshtuan dokumentin "Besa", duke deklaruar se ai nuk i përgjigjet kërkesave të tyre dhe këmbëngulën në dorëheqjen e shefit të qeverisë.  Ata e cilësuan dokumentin si një përpjekje për të zbehur protestat.

Çfarë ndodhi në mbledhjen e Grupit të PS?

Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar, 24 korrik, kryeministri Edi Rama në fund të fjalës së tij u prezantoi socialistëve dokumentin e ri politik të quajtur “Besa”, draft të cilin deputetët dhe ministrat do ta marrin me vete gjatë pushimeve për ta studiuar.

Sipas kreut të qeverisë 'Besa' synon të nxisë reflektim brenda Partisë Socialiste pas protestave të fundit. Reflektimi mund të themi se u pa që në momentin e parë kur dokumenti u dorëzua, ku socialistët 'ulën' kokën për ta shqyrtuar paraprakisht, duke shfletuar çdo faqe. /ZËRI

Poll

MOS HUMB