"Avokati i Populli s'do të raportojë!" Mbyllet seanca, Peleshi-Bardhit: S’mund të bllokosh Kuvendin se s’të pëlqen dikush
TIRANË- Kryeparlamentari Niko Peleshi ka shtyrë seancën e sotme parlamentare për datën 23 korrik, pas përplasjeve të forta mes mazhorancës dhe opozitës gjatë zhvillimit të punimeve.
Vendimi erdhi pas rreth 7 orësh debate në sallën e Kuvendit, ku palët nuk arritën dakordësi për vijimin e rendit të ditës, pasi seanca u ndërpre dy herë për shkak të bllokimit të foltores nga deputetët e opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi shtyrjen e pikave të mbetura për seancën e ardhshme, duke argumentuar se situata në Kuvend nuk po lejonte zhvillimin normal të punimeve.
Nga ana tjetër, opozita kërkoi ndryshimin e renditjes së pikave, duke kundërshtuar shtyrjen e tyre. Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi drejtimin e Kuvendit se po provokonte opozitën dhe po shmangte diskutimin e çështjeve të parashikuara.
“Ai nuk do raportojë dot në Kuvend. Hiqni dorë nga skenarët e bllokimit ë opozitës. Ju doni ta bojkotoni këtë seancë dhe seancën tjetër. Le të vazhdojmë me KLGJ, KLP, Prokurorin e Përgjithshëm, ILD dhe në fund Avokatin e Popullitpo të doni dëgjojeni po ai nuk do raportojë dot. Thjesht kërkojmë ndërrimin e rendit të ditës, lëreni për në fund. Nëse doni ta bojkotoni opozitën dhe ta prishni seancën, por ju po provokoni në çdo moment opozitën”, tha Bardhi.
Peleshi deklaroi se mbajtja peng e punimeve të Kuvendit nuk mund të vijojë dhe se rregullorja duhet respektuar. Pas diskutimeve, ai vendosi që pikat e mbetura të rendit të ditës të kalojnë për seancën e 23 korrikut.
“Rendin e ditës e shpall kryetari i Kuvendit, nuk mund të vendosim pas 7 orësh si do ta bëjmë aq më keq në presionin e bllokimit fizik të foltores. Nuk i vlen askujt. Si mund të bllokosh Kuvendin se nuk të pëlqen dikush? Ju thoni është antikushtetues se e shpall unë, të ligjshëm a të paligjshëm e shpallin gjykatat. Nëse do të ishte pranuar nga GJK do ta zbatonim, unë i pari dhe gjithë të tjerët. S’kemi vendim pezullimi, kur të shqyrtohet do të respektohet vendimi i GJK. Këto janë mendime personale apo të një grupi të caktuar. Rendi i ditës nuk mund të ndryshojë gjatë ditës së seancës vetëm sepse kemi bllokim fizik të foltores, do të ishte fundi i parlamentarizmit. Ju e Balla s’keni asnjë tagër të vendosni rendin e ditës të seancës pasardhëse. Keni të drejtë të propozoni, marr si të bazuar në rregulloren propozimin e Ballës për shtyrjen e pikave të kësaj seance ditën e enjte. Jam i detyruar ta hedh në votim të hapur me karton”, tha Peleshi.
Në përfundim, Kuvendi miratoi propozimin e Ballës me 76 vota pro dhe 25 kundër. Sakaq, raportimet dhe projekt-rezolutat të shqyrtohen në seancën plenare të 23 korrikut./ZËRI
Tensionet ndërpresin seancën! Avokati i Popullit ftohet të raportojë në Kuvend, opozita 'gardh' te foltorja (VIDEO)
TIRANË- Kuvendi ka kaluar në 5 minuta pushim pas tensioneve të krijuara në sallë, ku deputetët e opozitës bllokuan foltoren duke penguar vijimin normal të punimeve.
Ky episod u regjistrua pasi opozita kundërshtoi zhvillimin e raportimit të Avokatit të Popullit, Endri Shabani. Deputetët e PD-së dolën përpara foltores, duke mos lejuar vijimin e procedurave parlamentare.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kërkoi disa herë lirimin e foltores, por pas disa tentativave vendosi të ndërpresë përkohësisht seancën.
Por, edhe pas rikthimit të këtij pushimi, seanca u ndërpre sërish për të dytën herë brenda pak minutash. Deputetët e opozitës u vondosën përpara foltores, me qëllim pengimin e raportimit të Avokatit të Popullit.
Pjesë nga debati Peleshi-deputetët e opozitës:
Niko Peleshi: Nuk e kemi arenë gladiatorësh parlamentin. Lironi foltoren! Takojeni pas raportimit. Mos u impononi mendimin tuaj kolegëve të tjerë që janë ulur dhe po presin të dëgjonë raportin. Mos u bëni pengesë e zbatimit të Kushtetutës. Ju lutem uluni!
Deputetët e opozitës: Ne nuk e njohim!
Niko Peleshi: Ka të tjerë që e njohin! Në këtë sallë jeni të detyruar të respektoni rregulloren dhe detyrimin e institucioneve të raportojnë. Uluni, nuk jeni këtu për forcën fizike! Nuk jemi këtu për përleshje! Jemi për të përplasur mendimet, jo kokat! Pa dëgjuar raportin, nuk mund të diskutojmë në ajër! Nuk ka shans t’i impononi Kuvendit rendin e ditës!
Pasi kundërshtuan thirrjet e vazhdueshme për të liruar foltoren, kryeparlamentari Peleshi e ndërpreu me 5 minuta të tjera seancën. /ZËRI
‘Territorialja’, Balla-opozitës: S’ka zgjatje afati, në 23 datë raportoni! Berisha: Synoni të zhdukni 20 bashki
TIRANË-Seanca plenare e Kuvendit po zhvillohet mes debateve, ku mazhoranca dhe opozita janë përplasur për Reformën Territoriale. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Territoriale nuk janë dakortësuar për zgjartjen e afatit dhe në datë 23 korrik duhet të prezantohen dy raportet, ai i PD dhe ai i PS.
Nga ana tjetër kryetari i PD, Sali Berisha tha se PS synon të zhdukë 20 bashki dhe se sipas tij, Edi Rama urdhëroi deputetët që të vijojnë punën të vetëm pa opozitën.
Taulant Balla: Komisioni i Territoriales ka bërë punë të lavdërueshme, është punuar për muaj dhe jemi në momentin që në Konferencën e Kryetarëve se ju e keni parlamentin si shkollë nate, ikni e vini kur të doni, kemi pasur një diskutim të qenësishëm javën e kaluar, nuk pati një kërkesë të dakordësuar nga bashkëëkryetarët për zgjatjen e afatit. Personi që sapo gënjeu këtu, në komisionin tjetër Bylykbashi dhe Gjiknuri sollën kërkesën. Komisioni nuk solli kërkesë, e ka mbaruar afatin. Sillni ju raportin tuaj, Mazniku dhe deputetët e PS të sjellin raportin e tyre. Në datë 23 nuk do të ketë votim, por raportim që mbi bazën e tij ka një proces që i përfshin komunitetet.
Sali Berisha: Boçi ka bërë përpjekjet më maksimale direkt me Maznikun, apo pengun, edhe me përfaqësues të tjerë që janë të angazhuar të mbështesin këtë proces. E vërteta është se pati një ujdi mes tyre për të zgjatur afatin e komisionit, sikundër kushti për të marrë ekspertizën e Kongresit të Autoriteve Rajonale të KiE është për ne i panegociueshëm dhe është rënë dakord që në fillim. Ishte Rama që urdhëroi pengun e tij të veprojë në mënyrë të njëanshme. Projekti i diskutuar nga ju, shkurton 20 bashki të shpërndara në gjithë vendin, nga Kruja deri në Konispol.
Balla -Muçit: Vazhdoj të të quaj sorrë, bashkë me Gonen e Llapin, flamingot...
TIRANË-Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ka replikuar me deputetin Redi Muçi i cili i e ka akuzuar se i ka quajtur protestuesit sorra.
Taulant Balla: Vazhdoj të të quaj një sorrë, edhe Gonen, edhe Lalpin, edhe bufin. Më jeni dukur si ajo miza te bishti i kalit, ndërkohë që respektin ndaj flamingove s'ma ndryshon dot ti. Ndaj flamingove që e braktisën llumin e kënetës, ku filluan të kakarisin vetëm bufi dhe sorrat, ne jemi të gatshëm të dialogojmë me flamingot që e braktisën llumin, për të gjitha shqetësimet e tyre. Ky është dallimi ynë i madh. Nëse kjo palë këtu u mor peng nga sindroma e Stokholmit, ku i përdhunuari bie në dashuri me përdhunuesin, dallimi ynë i madh me ty, Muçi, është diferenca që dimë të bëjmë. Jemi duke punuar për një ligj të ri për investimet strategjike. Se kur votohet nuk e vendosni dot ju, të paktën jo deri sa të keni 71 mandate.
“O hajdut me syze”/ Protestuesit 'shënjestrojnë' Vangjel Dulen, e qëllojnë me vezë dhe domate
TIRANË-Edhe kreu i PBDNJ-së dhe deputeti Vangjel Dule është qëlluar me vezë dhe domate nga protestuesit e mbledhur përpara Kuvendit. Teksa po hynte në këmbë në ambientet e Parlamentit, disa qytetarë iu drejtuan me thirrjet: “O hajdut me syze”. Më pas, deputeti u qëllua me vezë dhe domate, ndërsa objekt i sulmit u bënë edhe persona të tjerë që po hynin në Kuvend së bashku me të.
Protestuesit qëllojnë me vezë makinat e Kumbaros dhe Çuçit

TIRANË-Seanca e Kuvendit po mbahet paralelisht me protestën e qytetarëve para godinës së Parlamentit. Makinat e deputetëve janë sulmuar me vezë teksa futeshin në Kuvend për seancën plenare. Konkretish protestuesit kanë gjuajtur me vezë makinën e ministres së Arsimit Mirela Kumbaros dhe atë të drejtuesit politik të qarkut të Vlorës Bledar Çuçit teksa po shkonin te Kuvendi.
Ndërkohë, qytetarët kanë shkruar mbi vezë edhe emrat e disa depuetetëve, mes tyre: Ulsi Manja, Besart Xhaferri, Luçiano Boçi, Milva Ikonomi, Oerd Bylykbashi, Tedi Blushi
PD thyen bojkotin, demokratët hyjnë në Kuvend nga Akademia e Shkencave
TIRANË-Opozita ka vendosur të marrë pjesë në seancën e sotme plenare, ndërkohë që jashtë perimetrit të Kuvendit, protestuesit janë mbledhur dhe qëllojnë me vezë ligjvënësit në këtë seancë të parafundit.
Berisha dhe demokratët janë futur në Parlament nga porta e Akademisë së Shkencave, ndërkohë që kanë shmangur hyrjen kryesore të parlamentit. Rikthimi në seancë vjen pas dy bojkoteve, ku PD kishte deklaruar më herët se mbështet protestat e qytetarëve dhe demokratët nuk do të shkojnë në seanca, derisa të diskutohen në Kuvend amendamentet për ndryshimin e ligjeve, të kërkuara edhe nga protestuesit.
Protestuesit mblidhen me vezë para Kuvendit, Policia vendos autobotet me ujë
TIRANË-Teksa Kuvendi pritet të mblidhet sot në orën 12:00 në seancë plenare për të shqyrtuar raportet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të drejtësisë, një grup protestuesish, të pajisur edhe me vezë, janë mbledhur jashtë godinës së Kuvendit.
View this post on Instagram
Nga ana tjetër Policia ka shtuar masat e sigurisë para godinës së Kuvendit, ku është vendosur një autobot me ujë, ndërsa pranë godinës janë instaluar edhe barriera metalike për të kontrolluar hyrjet dhe për të garantuar sigurinë.
Diskutohet rikthimi në Parlament? PD mbledh deputetët një orë para seancës plenare
TIRANË-Partia Demokratike do të mbledhë sot Grupin Parlamentar, vetëm një orë përpara zhvillimit të seancës së parafundit plenare të Kuvendit, duke lënë të hapur mundësinë e një ndryshimi të qëndrimit lidhur me pjesëmarrjen në Parlament. Në dy seancat e fundit opozita zgjodhi të bojkotojë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, njoftoi se mbledhja do të zhvillohet në orën 11:00 në selinë e partisë, ndërsa seanca plenare është planifikuar të nisë në orën 12:00.
“Të hënën, datë 20 Korrik, ora 11:00 do te zhvillojmë mbledhje të Grupit Parlamentar të PD, në seli. Është caktuar seancë plenare të hënën, ora 12:00. Përgatitemi në çdo rast për seancën, që të jemi gati nëse grupi parlamentar vendos që të marrin pjesë”, njoftoi kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi.
Opozita ka deklaruar më herët se mbështet protestat e qytetarëve dhe demokratët nuk do të shkojnë në seanca, derisa të diskutohen në Kuvend amendamentet për ndryshimin e ligjeve, të kërkuara edhe nga protestuesit./ZËRI