TIRANË-Qeveria do të dalë në bursat e huaja dhe do të blejë naftë e më pas do ua shpërndajë kompanive në vend, me synim që të ulet çmimi për qytetarët shqiptar. Ky hap u njoftua nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se qëllimi është ulja e çmimit të karburanteve, por pa dhënë deteje për skemën që do të ndiqet.
“Të ndërtojmë një proces të ri dhe po e përgatisim, ku qeveria do të jetë pjesë e forcave në sektorin e naftës. Ne duam të ndërhyjmë për të vendosur një ekuilibër të ri çmimi për konsumatorët. Besoj brenda vitit do jemi pjesë si qeveri në import dhe në shpërndarjen e naftes. Kjo gjë do të na vërë ne, në pozitën ku do të do të mund të përcaktojmë një çmim më të arsyeshëm sesa çmimi aktualisht i naftës në Shqipëri”,-tha Rama gjatë një takimi të mbajtur në Cërrik në fillim të korrikut me përfaqësues të qeverisë, bashkive dhe sipërmarrësve në fushën e bujqësisë.
Një hap i tillë sipas ekspertit të ekonomisë Klodian Muço mund të ketë disa efekte në tregun e hidrokarbureve në vend.
“Është lajm për tu përgëzuar që shteti e kupton që treg ka diçka që nuk shkon. Çmimet janë të larta, ndoshta mund të jetë një hap pozitiv që mund të rrisë konkurrencën dhe të ulë çmimet e përgjithshme. Mund të ndikojë në rritjen e cilësisë së produktit të shitur, shteti mund të gjej zgjidhje për problemet e peshës që diskutohen (pretendimet e qytetarëve për mashtrim nga kompanitë e naftës me peshën që mbushin makinat)”, thotë Muço.