
IZRAEL-Kryeministri Edi Rama ndodhet në Tel Aviv të Izraelit, ku ka zhvilluar një vizitë në Qendrën Mjekësore Sheba, me të cilën është firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza (QSUT) në Tiranë.
“Ky pavion urgjence punon me pacientë të vërtetë ku pacienti vjen dhe nuk e takon mjekun, hyn, jep emër dhe të dhënat dhe fillon bisedën me asistentin virtual mjekësor, di gjithë historikun e pacientit. Pacientë trajtohen me inteligjencë artificiale, por nën mbikëqyrjen e mjekut, që monitoron bisedën e sistemit artificial me pacientin, kemi 800 pacientë për çdo ditë, kjo redukton 30-40% punën e mjekut, pas bisedës përcakton se çfarë duhet të bëjë, qoftë për hospitalizim, apo çdo gjë tjetër, analizat, imazherinë, e di se çfarë duhet të bëjë’, tha drejtuesi i SHEBA.
Rama tha se e kishte pritur prej kohësh të shkonte atje, ndërsa vlerësojë mbështetjen e dhënë nga kjo qendër.
“Është një nder i madh dhe privilegj. Mezi po prisja të vija këtu prej shumë kohësh. Takimi u bë realitet por u bë realitet edhe takimi me mjekët dhe ekipin e spitalit Nënë Tereza. E vlerësojmë jashtëzakonisht shumë mbështetjen tuaj”, tha Rama.
Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" (QSUT) nënshkroi një marrëveshje partneriteti me Sheba Medical Center, një nga spitalet më të mëdha dhe më të avancuara në Izrael, për të përmirësuar shërbimin onkologjik në Shqipëri. Puna do të nisë nga Onkologjiku ku tanimë ekipi i Sheba dhe ekipi dhe ai i mjekëve shqiptarë po kujdesen bashkarisht, për të vazhduar me ngritjen në QSUT të qendrës së Sheba-s për inovacionin dhe inteligjencën artificiale./ZËRI