
DURRES- Kryeministri Edi Rama premtoi sot rritjen e bonusit të fundvitit për pensionistët. Në një takim me pensionistët në qytetin e Durrësit, Rama tha bonusi i deritanishëm me vlerë 50 euro është i pamjaftueshëm për moshat e treta. Në prezantim e sipër, ai ironizoi edhe liderin e opozitës Sali Berisha, që ndodhet në arrest shtëpie. Rama tha se Berisha duket si "gjeli që këndon si gjysmagjel në maj të penxheres".
“Ka qenë njëri që ka thënë do të japim gjel. Ju kujtohet një gjel që këndon si gjysmagjeli në maj të penxheres. Edhe juve u dha një gjysmagjel”.
“Taksat janë të fëmijëve, sigurimet shoqërore janë të pensioneve. Kur ndodh që kontributet shoqërore janë më pak se cna duhet, i marrim nga taksat. Për këtë arsye po ju them se 500 milion është cdo vit gropa që duhet të mbushim për pensionet.
Nuk ka një shpellë diku me florinj që duhet ta hapim. Çdo pension që rritet rritet për gjithmonë. Ka dy gjëra për të bërë, e para është të fillojmë që tani.
Ka qenë njëri që ka thënë do të japim gjel. Ju kujtohet një i gjeli që këndon si gjysmagjeli në maj të penxheres. Edhe juve u dha një gjysmagjel.
Ne e rritëm bonusin dhe e bëmë jo një gjel për dy pensionist, por një bonus 50 euro për secilin. Kjo nuk mjafton më.
Jemi duke finalizuar rritjen e bonusit, e dyta jemi duke parë një plan rritjeje pensionesh gradual, duke shtuar pjesën tonë dhe duke rritur të ardhurat nga ata që duhet të paguajnë një për një sigurimet shoqërore”, tha Rama.
Deklaratat vijnë në kohën që kryeministri po shtron terrenin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025. Shtyllat kryesore deri tani të prezantuara prej Ramës janë rritja e pensioneve dhe detyrimi i të gjitha kompanive të mëdha dhe bizneseve të bëjnë deklarime të plota të pagave të punonjësve për të mundësuar pagesa më të mëdha në kontribute dhe rrjedhimisht edhe pensione më të larta./ZËRI