Politikë

Çështja Balluku! Rama pranon përplasjen me ndërkombëtarët: Kemi pasur debate, por s'lejoj njeri të më shohë nga lart

Kreu i qeverisë komentoi deklaratat e ndërkombëtarëve lidhur me çështjen Balluku, ku pohoi se ka patur debate me partnerët e huaj dhe deklaratat e një dite më parë ishin të qarta, por mënyra se si janë lexuar është e ndryshme.

F.I
Çështja Balluku! Rama pranon përplasjen me
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat lidhur me votimin e Kuvendit, i cili rrëzoi me 82 vota kundër të socialistëve e të PSD dhe 47 votat pro të opozitës, kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku. 

Në fillim të fjalës së tij Rama ritheksoi se nuk ka të bëjë me një çështje korrupsioni dhe SPAK nuk përmbushte kushtet për kërkesën referuar Kuvendit. Kreu i qeverisë komentoi deklaratat e ndërkombëtarëve lidhur me çështjen Balluku, ku pohoi se ka patur debate me partnerët e huaj dhe deklaratat e një dite më parë ishin të qarta, por mënyra se si janë lexuar është e ndryshme. Gjithashtu Rama nënvizoi se ‘ëndrra europiane nuk ka mbaruar’, dhe se sipas tij qëllimi ka qenë që të deformohet suksesi i Shqipërisë.

Kujtojmë se Ambasadat shprehën mbështetje lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por theksuan njëzëri se prioritet drejt Europës është lufta kundër korrupsionit përfshirë edhe në nivelet më të larta. Komisioni Europian nga ana tjetër ka kërkuar angazhim dhe garantimin e kushteve që Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të kryejë punën e saj në mënyrë efektive dhe sa më shpejt. Edhe Bashkimi Europian në të njëjtë linjë duke mbajtur shënim edhe votimin në Kuvendin shqiptar, thekson se lufta kundër korrupsionit ka një rëndësi thelbësore për procesin e anëtarësimit.

Edi Rama: Nuk ka asnjë dyshim që në këtë rast nuk jemi përballë një çështjeje korrupsioni. Sepse vetë SPAK nuk ka ngritur akuzë për korrupsion. Jemi përballë një çështjeje në hetim, që mund të hetohet lirisht pa asnjë pengesë. E përsëris dhe atë që thash para grupit parlamentar, e inkurajoj prokurorinë që të ndjekë dhe hetojë të gjitha pistat ku të mendohet se mund të shfaqet gjatë rrugës ‘ferra e korrupsionit’. Deri tani nuk jemi përballë një çështje korrupsioni. Është e vërtetë që kemi pasur debat me disa nga partnerët tanë lidhur me qasjen ndaj kësaj çështjeje, nuk është sekret. Sikundër, e dini shumica e dinë, pakica bëjnë sikur se dinë. Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve. Një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shoh partnerët në sy dhe të më shohin në sy, në të njëjtën lartësi. As unë nuk më shkon mendja të shoh njeri nga lart poshtë dhe as të lejojë njeri të më shoh nga lart poshtë. Përtej karikaturave që janë ndërtuar në pazarin mediatiak, diskutimet tona kanë qenë të hapura, jo me tensione dhe presione, apo kërcënime. Këto janë gjëra që nuk ndodhin në ato nivele ku bëhen këto diskutime. Besoj se edhe vetë deklaratat e bëra dje nga disa përfaqësi si nga përfaqësia e BE, janë të qarta. Por varet se si i lexoni.

Rama deklaroi se inkurajon SPAK për të hetuar Belinda Ballukun deri në gjetjen e një prove që e implikon atë me korrupsionin. Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme (SPAK) i kërkoi Kuvendit autorizim për arrestimin e Ballukut, duke argumentuar se deputetja ka intimiduar dëshmitarë dhe mund të përbëjë rrezik për provat në hetim. Ish-zv.kryeministrja është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tenderë, dhe hetimi ndaj saj do të vijojë në gjendje të lirë dhe vetëm me masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit./ZËRI

Poll

MOS HUMB