BRUKSEL-Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në Bruksel një takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Takimi u mbajt në selinë e aleancës. Diskutimi u fokusua te roli i Shqipërisë në NATO, mbështetja për Ukrainën, si dhe projektet e ardhshme për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes. Rutte vlerësoi kontributin e vendit tonë në Aleancë dhe theksoi se Shqipëria këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen.
“Shqipëria këtë vit do të arrijë nivelin 2% të shpenzimeve për mbrojtjen, që është një angazhim i madh. Shqipëria po zhvillon industrinë e saj të mbrojtjes, përfshirë edhe përmes ndërmarrjes shtetërore, çka është e rëndësishme sepse na duhet një bazë industriale e mbrojtjes më e fortë në të gjithë NATO-n. Ju po ndihmoni shumë me Ukrainën. Për shembull, përmes komandës sonë në Wiesbaden, ku kemi një delegacion shqiptar, por edhe përmes trajnimit gjuhësor për pilotët e avionëve luftarakë dhe për teknikët. Vërtetë po bëni shumë më tepër, përtej madhësisë suaj. Në të vërtetë ju jeni shumë i gjatë, megjithatë Shqipëria nuk është aleati më i madh i yni dhe po bën shumë. Dua t’ju falënderoj shumë që jeni një aleat kaq i patundur. Ju e dini që NATO-ja mund të mbështetet tek Shqipëria dhe ju e dini, që Shqipëria gjithmonë mund të mbështetet tek NATO-ja”, tha Rutte.
Ndërkohë kryeministri Rama u shpreh se ka gjithmonë diçka për të mësuar prej NATO-s.
“Jemi këtu për të rikonfirmuar gjithçka që ju thatë dhe duam të bëjmë më shumë. Tashmë po rinisim rilindjen e industrisë sonë ushtarake. Jemi shumë të prirur të diskutojmë me ju punën e mëtejshme që duhet bërë për të bërë të mundur portin e ri ushtarak në Shqipëri, në Porto Romano. Sigurisht, jemi këtu gjithashtu për të folur së bashku se si mund të përfshihemi në programin SAFE të Bashkimit Europian, i cili në aspektin e sigurisë shtrihet përtej kufijve të vendeve anëtare të BE-së”, tha Rama në fjalën e tij.