
BUDAPEST- Shqipëria do të presë vitin e ardhshëm samitin e radhës të Komunitetit Politik Europian. Lajmi u bë me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet sot në Budapest për të marrë pjesë në punimet e këtij samiti. I pyetur nga mediat e pranishme, Rama komentoi edhe zgjedhjen e presidentit Donald Trump si "shefin" e ri të Shtëpisë së Bardhë.
Kreu i qeverisë tha se për shqiptarët nuk ka asnjë ndryshim se kush i drejton Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Për Shqipërinë nuk do të thotë asgjë zgjedhja e Trump, në sensin që nuk ndryshon asgjë. Kushdo që është në Shtëpinë e Bardhë nuk bën dallim, meqë SHBA-ja është SHBA. Ne s’jemi të ndikuar nga emocionet, për shkak se për ne është e njëjtë. Mënyra si e shoh unë është se është bërë shumë zhurmë, ndoshta jo në mënyrën e duhur për kthimin e tij të mundshëm. Përvoja më thotë që kur ishte president dhe të gjithë thonin se NATO do të bëhej më e dobët, NATO u bë më e fortë. Kështu që le të shohim dhe të mos bëhemi histerikë para se të shohim realitetin. SHBA janë SHBA dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërish e keqe për Evropën, mund të jetë me e mirë për Evropën. Jam më i gjati mes tyre por përfaqësoj vendin më të vogël. Shqiptarët janë komuniteti më pro amerikan në botë s’përbën ndryshim kush është në Shtëpinë e Bardhë,"-tha Rama.
Në këto zgjedhje Trump ka marrë gjithsej më shumë vota se Kamala në nivel të gjithë Amerikës dhe e ka kaluar atë edhe për nga numri i votave kyçe elektorale, që ka mbledhur deri më tani, 295 kundrejt 226 të saj. Ai fitoi pesë nga shtatë shtetet që ishin vendimtare në këto zgjedhje dhe kryeson në Nevada dhe Arizona, dy shtetet e vetme që nuk kanë shpallur ende fitues. Përveç fitores së Trump, republikanët rifituan edhe kontrollin e Senatit, dhe po kryesojnë në garën për Dhomën e Përfaqësuesve./ZËRI