TIRANË-Partia Socialiste ka kërkuar marrjen e masës disiplinore ndaj deputetit Agron Shehaj dhe referimin e çështjes pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), pas incidentit të ndodhur ditën e sotme, kur kreu i Partisë Mundësia rrëmbeu nga zyrat e Kuvendit dokumentin konfidencial të ligjit për huanë nga SHBA. PS pretendon se Agron Shehaj, pasi është paraqitur në sallën ku mbahej dokumenti, ka kërkuar ta marrë kopjen fizike me vete, por është kundërshtuar nga stafi i Kuvendit.
Njoftimi i PS:
PS kërkesë për marrjen e masës disiplinore dhe referimin menjëherë pranë organeve të Prokurorisë, në rastin në fjalë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të deputetit Agron Shehaj
Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë ndaj deputetin Agron Shehaj, për sjellje të përsëritura të dhunshme dhe agresive duke vënë në rrezik stafin e Kuvendit, dhe duke marrë më forcë dhe nxjerr jashtë sallës materialin e klasifikuar, që përbën shkelje flagrante të legjislacionit për informacionin e klasifikuar.
Ndërkohë edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla me anë të një reagimi në rrjete sociale shprehet se Shehaj duhet të arrestohet.
"Agron Shehaj duhet arrestuar në flagrancë për shkelje të të ligjit. Hajduti i të dhënave personale të shqiptarëve tani ka nisur të vjedhë edhe dokumentet e Kuvendit. Kur mungojnë argumentet, mbeten vetëm vjedhja e dokumenteve të klasifikuara dhe dëshpërimi. Agresioni ndaj një punonjëseje të administratës është gjithashtu një vepër penale,"-shkruan Balla.
Marrëveshja ushtarake Shqipëri-SHBA u fut në rend ditën e sotme me procedurë të përshpejtuar. Marrëveshja parashikon që Shqipëria do të marrë 203 milionë dollarë kredi për blerjen e pajisjeve ushtarake përmban informacion të klasifikuar dhe për këtë arsye që në nisje të seancës kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi u bëri me dije ligjvënësve se duhej të firmosin deklaratë konfidencialiteti dhe ta lexonin atë brenda ambienteve të Kuvendit. Por Shehaj ka hyrë dhe ka marrë me nxitim dokumentin, duke u larguar me shpejtësi nga salla.