Politikë

Ambasadat kërkuan mos të pengohet hetimi ndaj Ballukut! Rama: Dakord 100%, do e bënte çdo parlament në Europë

Kreu i qeverisë në përgjigje deklaron se pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur.

F.I
Ambasadat kërkuan mos të pengohet hetimi ndaj Ballukut! Rama: Dakord
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratës së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj Gjermane, të cilat shprehën më herët qëndrimin e tyre lidhur me rastin e deputetes, Belinda Balluku, ku Kuvendi vendosi të rrëzojë kërkesën e SPAK për arrestimin e saj.

Ambasada Britanike në Tiranë u shpreh se imuniteti nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit. Ndërsa Ambasada e Gjermanisë thotë se kusht i domosdoshëm që Shqipëria të shënojë progres në rrugën e integrimit europian është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë, duke theksuar se edhe në raste si ky i Ballukut, ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. 

Lidhur me këto deklarata Rama është shprehur dakort dhe i mbështet, ndërsa thekson se Kuvendi bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës. Kreu i qeverisë në përgjigje deklaron se pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur.

Edi Rama: Përshëndes deklaratat e ambasadave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë, me parimet e shprehura në të cilat jemi të gjithë shumë dakord, 100%. Por duke qenë se që të dyja dolën sot, kur Kuvendi me plot të drejtë refuzoi heqjen e lirisë së një deputeteje në mungesë të plotë të kushteve për ta ndërmarrë një hap të tillë ekstrem dhe, njëkohësisht, duke qenë se Shoqata e Molotovarëve të Tiranës ka filluar të flasë edhe në emër të Gjermanisë, përfitoj nga rasti të theksoj: • Kjo shumicë qeverisëse e ka mendjen të ndarë dhe busullën të palëvizshme: Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian???????????????????? • Reforma në Drejtësi nuk kthehet mbrapa, pavarësia e gjyqësorit nuk preket dhe mbështetja për SPAK-un mbetet e palëkundur. • Lufta reale kundër korrupsionit vazhdon, më këmbëngulëse se kurrë, siç e tregon qartë edhe pasqyra objektive e përditësuar Komisionit Europian. • Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion dhe hetimi i çështjes duhet të vazhdojë, i patrazuar as nga pengimi as nga yshtja e SPAK-ut, prej faktorësh jashtë kufijve të pushtetit të pavarur gjyqësor. • Shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës, ku kalimi i kërkesave të prokurorisë jo për arrestin pa gjyq të një deputeti, po për të filluar apo jo hetimet, nuk është askund si kalimi pa asnjë lloj kontrolli i kufijve në zonën Shengen. Ai është një proces serioz, i bazuar në norma kushtetuese e ligjore, të cilat nuk janë as karta bianka, as dyer të mbyllura për prokurorinë. Sot ne i kemi respektuar plotësisht ato norma dhe kush pretendon të kundërtën, ka të drejtën e vet të padiskutueshme, po s’ka argumenta të mjaftueshëm për ta fituar debatin mbi ekzistencën ose jo të kufirit mes pushteteve të pavarur kushtetues, të cilin parlamenti i Shqipërisë e mbylli sot duke treguar se dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike, të cilat e bëjnë kurën më të rrezikshme se sa sëmundja që duhet të luftojë! Ecim përpara, Shqipëria nuk ka plan B.

Poll

MOS HUMB