
TIRANË- Biznesmeni Ilir Rrapaj po vijon me dëshminë e tij para komisionmit Hetimor të Shëndetësisë në lidhje me koncesionet e sterilizimit dhe chek-up. I pyetur nga deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në lidhje me një pagesë prej 180 milionë lekë të marra nga koncesioni i sterilizimit. Zhupa e pyeti ate për mënyrën sesi ai ka marrë këto para.
Por, Rrapaj tha se iu është përgjigjur njëherë kësaj pyetjeje dhe ngriti shqetësimin e tij, se ka prej orës 7 të mëngjesit në komision dhe ka pirë vetëm një gotë ujë deri më tani.
Ina Zhupa: Këto 180 mln lekë që na rezultojnë ne, ju i keni marrë si fatura hotelesh apo avionësh, apo jua kanë dhënë si pagë, në ç’kuptim?
Ilir Rrapaj: Ju citova disa prej ngjyrave të listës së panumërt të kostove, sepse kundrejt një shërbimi të caktuar do të merreshin parasysh edhe kostot. Ishte rrjedhojë e një vendimi kolegjial. Asambleja e ortakëve e konsideroi si të pranueshme këtë propozim edhe në aspektin ekonomik.
Ina Zhupa: Pse ju zgjodhën ju për t’ju dhënë këto para për të bërë këtë mbikëqyrje, duke qenë se ju jetonit në Itali dhe nuk zgjodhën një shqiptar që ta bënin me një kosto më të ulët??
Ilir Rrapaj: E dhashë më lart përgjigjen, s’gjej dot ndonjë alternativë, edhe pse po shtrëngohem në këto orë të vonë të pasdites. Kam, që në 7 të mëngjesit kam pirë vetëm një gotë ujë. Por ajo është përgjigje dhe e tillë ngele. Është një vendimmarrje kolegjiale për ta adresuar në personin tim fizik një përgjegjësi të kësaj natyre që e kam përmbushu besoj me sukses të plotë. Asnjë veprim i karakterit financiar nuk është larguar apo ka patur të mundur që të anashkalojë udhëzimet që vinin nga statusi i kompanisë. /ZËRI