ITALI- Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin “Intelligence on the ëorld, Europe and Italy”, në Itali, ku ka qenë pjesë e panelit “Agjenda për Europën”.
Gjatë fjalës së tij në Forumin e Cernobbios në Itali, Rama u shpreh se integrimi gradual është mënyra e vetme për të avancuar drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian, teksa kërkon heqjen e mekanizmit të vetos në procesin e zgjerimit të BE-së.
Sipas Ramës, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund të bëhen pjesë e tregut të përbashkët, universiteteve dhe programeve europiane, edhe pa marrë menjëherë të drejtën e vetos.
“Mënyra më e mirë e anëtarësimit është integrimi gradual. Është mënyra e vetme për të na futur në BE. Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk besoj se disa kryeqytete do të kenë aftësinë t’i thonë publikut: ‘Do ta marrim Shqipërinë me kompetencën e vetos’. Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës. Imagjinoni të kesh edhe 7 të marrë të tjerë të ulur rreth asaj tryeze. Do të ishte më mirë për Europën dhe për ne“, është shprehur Rama./ZËRI