
TIRANË-Mbahet sot seanca e dytë plenare në Kuvend, e dyta pas zgjedhjeve të 11 majit. Në rend të ditës në seancë plenare janë ndryshimet në buxhetin e shtetit 2025, si edhe për ndryshimet në ligjin për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë jashtë shtetit dhe pajisjen me letërnjoftim elektronik.
Gjithashtu, do të diskutohen disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Këto përfshijnë marrëveshje për mbrojtjen e biodiversitetit detar jashtë juridiksionit kombëtar, bashkëpunimin me Ukrainën për siguri dhe mbështetje afatgjatë, aderimin në Zyrën Evropiane të Komunikacioneve, marrëveshje financimi me Fondin e Zhvillimit të Abu Dhabi-t dhe Bashkimin Evropian në fusha si doganat, energjia, digjitalizimi dhe punësimi i të rinjve. Po ashtu, do të shqyrtohet edhe një marrëveshje garancie me BERZH për OSHEE-në.
Pikat kryesore të rendit të ditës janë:
Miratimi i procesverbalit të seancës së mëparshme, datë 29 maj 2025.
Miratimi i ndryshimeve në ligjin e buxhetit të vitit 2025.
Shtesë në ligjin për pajisjen me pasaportë të shtetasve shqiptarë.
Shtesë në ligjin për letërnjoftimin elektronik.
Ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për sigurinë ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës.
Aderimi në Konventën për Themelimin e Zyrës Evropiane të Komunikacioneve (ECO).
Ratifikimi i marrëveshjes së huas me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabi-t.
Marrëveshja për pjesëmarrjen në programin e Bashkimit Evropian “Doganat”.
Ratifikimi i marrëveshjes së garancisë me BERZH për projektin e OSHEE-së.
12-14. Ratifikimi i marrëveshjeve të financimit me Komisionin Evropian për programet shumëvjeçare në fushën e punësimit, ekonomisë digjitale dhe energjisë për periudhën 2024-2027.
Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Kujtojmë që seanca e javës së kaluar, e para pas mbajtjes së zgjedhjeve, zgjati shumë pak minuta. Partia Demokratike akuzoi qeverinë për manipulim dhe vjedhje zgjedhjesh./ZËRI